Postieri i Komunës së Drenasit lirohet nga akuza për korrupsion

Postieri i Komunës së Drenasit, Zenë Halilaj, të premten, është liruar nga akuza për korrupsion.

Halilaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për veprën penale te keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Violeta Namani, nuk është provuar se Halilaj e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Në rastin konkret nuk është kontestu se si i akuzuari e ka pranuar zarfin, ku në zarf është gjetur urdhri për përmbarim, por në këtë rast veç është kontestu rrethana se si drejtori i Komunës së Drenasit, Sadik Tahiraj, e ka pranu këtë zarf, ku kjo rrethanë e të provuarit i bie barrë prokurorit të shtetit për të provuar. Andaj në mungesë të provave materiale, në mungesë të rrethanave tjera, trupi gjykues vlerëson se i akuzuari Zenë Halilaj duhet të lirohet nga akuza.”, deklaroi gjykatësja.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, Namani gjithashtu tha se prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë se i akuzuari është person zyrtar.

“Trupi gjykues vlerëson se i akuzuari në rastin konkret nuk është person zyrtar siç parashihet në nenin 120 të KPRK-së, sipas të cilit me qenë person zyrtar një person duhet të jetë i zgjedhur ose i emëruar nga një organ shtetëror, i autorizuar nga një organ shtetëror dhe të ketë autorizime të posaçme apo detyra të posaçme me autorizim të veçantë. E në rastin konkret tani i akuzuari ka kryer detyrat si roje fizike për mirëmbajtjen e parkut të objektit të Komunës, në të cilën prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë se është person zyrtar.
Andaj trupi gjykues nuk ka gjetur bazë ligjore se roja i sigurimit fizik, në këtë rast i akuzuari, është person zyrtar.”, deklaroi ajo.

Sipas aktakuzës së ngritur me 24 shtator 2019, i pandehuri, në cilësinë e personit zyrtar- postier në Komunën e Drenasit, akuzohet se me 4 gusht 2016 ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim që vetit apo personit tjetër t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme.

Akuza thotë se në datën e lartcekur, i pandehuri ka pranuar fletë dërgesën-propozim për përmbarim P.nr.266/16 të datës 2 gusht 2016 nga Posta e Kosovës, e cila ishte dërguar nga përmbaruesit privat për Komunën e Drenasit, konkretisht në Drejtorinë e Arsimit, për të cilën thuhet se i pandehuri edhe pse ka pranuar fletë dërgesën, të njëjtën nuk e ka dërguar në adresën e destinimit.

Sipas aktit akuzues, për shkak të mos kundërshtimit, lënda ishte bërë e plotfuqishme, me ç‘rast NTSH “Vëllezërit Thaqi” kanë përfituar shumën në vlerë prej 8 mijë e 629.13 euro, ndërsa i është shkaktuar dëm buxhetit të dëmtuarës Komunës së Drenasit në shumën e lartcekur. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë