Lushtaku – Kurtit: UÇK-ja është e popullit dhe jo e partive politike që duan të përfitojnë

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, përmes një postimi në FB i ka reaguar liderit të VV-së, Albin Kurtit dhe deklaratave të tij të fundit rreth Gjykatës Speciale.

Lushtaku ka thënë se UÇK-ja as nuk ishte dhe as nuk është ekskluzivitet i askujt në veçanti.

Ai ndër të tjera ka shkruar se mençuria pas kuvendit e trimëria pas beteje nuk kanë asnjë vlerë, përveç për demagogët dhe frikacakët.

Ky është postimi i plotë i Lushtakut:

Për ta mbrojtur një vlerë, atë vlerë duhet ta kesh tënden ose së paku të dëshmohesh se sadopak e ndjen atë, e kjo i mungon Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Të gjithë ata që prej nga paslufta e deri sot, me akuzat e tyre ia vendosën themelet çdo gjykate që synonte të njolloste UÇK-në, tani përnjëherë po na prezantohen si gardianët e luftës dhe luftëtarëve. „Mbrojtja“ e tyre nuk është asgjë tjetër përveçse një kor kopallash e demagogjishë neveritëse.

UÇK-ja as nuk ishte dhe as nuk është ekskluzivitet i askujt në veçanti. UÇK-ja është vlerë sublime, simbol i përhershëm, histori e pashlyeshme dhe amanet i të rënëve për liri.

Sot, ata që na sulmuan dhe tentuan ta relativizonin e minonin UÇK-në si themel të shtetit të Kosovës, befas po na dalin si mbrojtës, e të tillët janë të njëjtit që sulmuan edhe shtetin e Kosovës, janë të njejtit që nuk besuan as në liri e as në pavarësi.

Mençuria pas kuvendit e trimëria pas beteje nuk kanë asnjë vlerë, përveç për demagogët dhe frikacakët. Ne të gjithë duhet ta ruajmë UÇK-në nga pretendimet monstruoze të gjykatave dhe njëkohësisht nga këta “gardianët” që zhurmën e tyre nuk e kanë të sinqertë.

UÇK-ja është e popullit dhe jo e partive politike të cilat mbrojtjen e vlerave të UÇK-së e kanë për konsum e përfitime politike. Të tillët duhet të turpërohen nga UÇK-ja, nga të rënët dhe familjet e dëshmorëve. SL

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë