ABRIA – DHEMBJE E PASHUAR NDËR BREZA, DHE QË KËRKON DREJTËSI

Shkruan: Lulzim Nika

Shtatori është dhembja dhe krenaria jonë. Po bëhen 22 vjet nga masakra e Abrisë ende pa u dënuar krimi serb. Masakra e forcave serbe ndaj familjes Deliu të Abrisë, sidomos pamja e fëmijëve kishte shokuar administratën e presidentit Klinton.

Historia e popullit shqiptar gjatë shekujve, ishte një përpjekje për mbijetesë në trojet tona etnike, dhe që u bë shënjestër e përhershme e politikës hegjemoniste serbe. Programi i parë kombëtar serb në të cilin përpunohej ideja e Serbisë së Madhe, është e ashtuquajtura “Naçertanija” e Ilija Garshaninit, prej vitit 1843 e deri në vitin 1852, i cili ishte ministër i Punëve të Brendshme dhe Kryetar i Qeverisë serbe. Këto ambicie kishin filluar të sëndërtoheshin me masakra dhe dëbime të shqiptarëve prej trojeve shekullore, nga Nishi, Vranja, Toplica, Prokupla e Leskovci, në vitet 1876 -1878.

Fatkeqësisht, kjo u përsërit edhe gjatë vitit 1998-1999, ku Shteti serb kundër shqiptarëve të Kosovës përdori metodat më mizore, barbare dhe mesjetare për zhdukjen e tyre nga Kosova.

Masakrat çnjerëzore që po ndodhnin në Kosovë morën përmasa tragjike në tërë botën e civilizuar, sa që tmerruan opinionin publik vendës dhe të huaj, si dhe vunë në lëvizje qendrat e vendosjes ndërkombëtare.

Krimet dhe Masakrat serbe që u bënë në Abri, Reçak, Verboc dhe Izbicë, tronditën dhe tmerruan qarqet diplomatike ndërkombëtare.

Tragjeditë dhe mizoritë e luftës së Kosovës nga faktori ndërkombëtar nuk u injoruan, por ata vepruan duke i dënuar me deklarata dhe veprime ushtarake kundër makinerisë ushtarake vrastare serbe.

Mirëpo, edhe sot e kësaj dite mungon një Gjykatë Ndërkombëtare për të gjykuar platformën politike të Shtetit serb, që synonte shfarosjen e një populli të tërë. Masakra e Abrisë dhe Reçakut “vrau” ndërgjegjen e diplomacive të fjetura botërore dhe masat ushtarake kundër makinerisë serbe nga aleanca e NATO-s, sollën paqën në Kosovën e djegur dhe të shkatërruar.

Me mijëra të vrarë e masakruar në shtëpi të tyre, shumë femijë, gra, dhe pleq, pra në gjithë Kosovën.

Sikur të kishim një politikë me vizionare, që të mos vraponte pas përfitimeve të pushtetit qe 20 vite, një Gjykatë Ndërkombëtare do të ishte dashur të formohej, vetëm për ndriçimin e masakrës së Abrisë.

E sot, pas 21 viteve të përfundimit të Luftës së Kosovës, t’i kërkojnë shqiptarët për t’u denuar, është vërtetë një padrejtësi historike e këtij shekulli!

P.S. Kjo foto flet për historinë tonë tragjike dhe të vujtjeve shekullore…

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë