Jakup Krasniqi me fjalim emocionues për nipin e tij, gazetarin Sulejman Gashi

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka mbajtur një fjalim emocionues në mbledhjen komemorative për gazetarin Sulejman Gashi.

“Nipi, Sylejman Gashi, na ke lënë pa fjalë, se ne prisnim kthimin e tij në mesin tonë dhe aty ku ishe mbret, në Gazetarinë shqiptare. Po, Syla erdhi ashtu si mw se paku e prisnim dhe e patëm vështirë qe ta prisnim, kështu si u detyruam ta pritnim e të flisnim kështu si po flasim! Por u detyruam”, ka thënë ndër të tjera në fjalin e tij Krasniqi, transmeton DrenicaOnline.

Fjalimi i plotë:

E nderuara Familja Gashi
E nderuara Nëna e Sylës, motra Elfije,
E nderuara bashkëshorte e Sylës e ju djema e vajza,
Vëllezër, kushëri, shokë e miq të Syleman Gashit,

Sot jemi këtu për t’i bërë nderime Jetës e veprës se Gazetarit, publicistit e intelektualit Sylejman Gashit, të cilin e prisnim që t’i kthehej familjes, profesionit që i qëndroi besnik, për t’ju kthyer kombit të cilit i shërbeu me besnikëri e devotshmëri gjatë gjithë jetës dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Syla ishte djali i madh i mësuesit të devotshëm, Sherif Tafil Gashit nga Kijeva dhe i Elfie Gashit – Krasniqit nga Negroci. Syla nga prindër mori edukim të nivelit të lartë dhe atë edukatë e kulturë e prezantoi kudo ku punoi e jetoi, në Kijevë, në Prishtinë e deri në SHBA, kudo punoi e kontribuoi shumë për Kosovën, për lirinë e pavarësinë e saj.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe se Syla për kohën e tij ishte personifikimi më besnik i Tahir Hasanve të urtë, Ramadan Shabanit, Kajtaz Ramadanit dhe i te atit Sherif Tafilit, i atyre brezave që për kombin për gati dy shekuj ndan drejtësi e dashuri për sigurinë e harmonin e kombit në rrethana të robërisë se egër, turke e serbe. Po në atë vi, por në një nivel më të avancuar, Sylejman Gashi me përkushtim e vendosmëri u vu në shërbim të profesionit për të informuar drejtë kombin në rrethana politike e shoqërore tepër të vështira.

Kam pasur fatin e rastin që Sylejman Gashin – nipin ta njoh si fëmijë, si fëmijë të urtë, të gjallë të cilin e karakterizonte mirësjellja ndaj të riut e të vjetrit. Gjithashtu e pata rastin ta takoi edhe në Rambuje, aty ku bisedohej e vendosej për të ardhmen e Kosovës. Aty Syla ishte në cilësinë e gazetarit për t’i dhënë publikut informimin për ato zhvillime. Pastaj Sylën e takova disa herë në SHBA, në Kongres dhe në selinë e OKB-së në Nju Jork prej ku informonte për takimet tona, ndërsa ne në takimet tona na informonte e tregonte për shumë zhvillime të rëndësishme për kombin tonë, zhvillime që për ne e vendin tonë kishin një rëndësi të veçantë. Si dajë e nip që ishim, isha mysafir edhe në familjen e tij në Nju Gjersi te SHBA-së.

Sylejman Gashi, kudo ishte, ishte argat besnik i Kosovës dhe i kombit shqiptar!

Nipi, Sylejman Gashi, na ke lënë pa fjalë, se ne prisnim kthimin e tij në mesin tonë dhe aty ku ishe mbret, në Gazetarinë shqiptare. Po, Syla erdhi ashtu si mw se paku e prisnim dhe e patëm vështirë qe ta prisnim, kështu si u detyruam ta pritnim e të flisnim kështu si po flasim! Por u detyruam!

Nipi im, Sylejman Gashi u prefsh në paqe!
Nderi e Lavdia qoftë me TY dhe do të jenë përjetë me TY!

P. S
Fotoja është e vitit 1999, gjatë Konferencës së Rambujesë.

Më shumë