Njihuni me Beratin i cili pasionin e tij e shndërroi në profesion të qëndrueshëm

Berat Ramadani, 20 vjeçar nga Prishtina e kishte pasur gjithnjë pasion fotografinë. Ai kishte ëndërruar që në një të ardhme të afërt, prirjet e tij për artin vizuel t’i ushtronte si profesion mirëpo në mungesë të një vendi pune, pasioni i tij kishte mbetur vetëm një ëndërr.

Mirëpo gjithçka ndryshoi në fillim të vitit të kaluar. Berati, i regjistruar si punëkërkues, vendosi të aplikonte për Programin e Subvencionimit të Pagës, të mundësuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) – Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, duke arritur të jetë njëri nga përfituesit e Programit. Ai sot punon në D.P.Z.Foto “Nikon” në Prishtinë, i punësuar si fotograf i rregullt ku punon me shumë zell.

“Jam shumë i lumtur që më në fund po ushtrojë profesionin e ëndrrave dhe ngadalë po ndërtojë përvojën time profesionale si fotograf”, thotë Berati.

Berati ka arritur që tashmë të ndërtojë një bagazh më shumë se një vjeçar si fotograf dhe është angazhuar menjëherë në ngjarje të rëndësishme. Ai kujton me ëndje kur kishte arritur që të fotografonte arritjen e Kombëtares së Anglisë në Kosovë, për ndeshjen futbollistike Angli-Kosovë në nëntor të vitit të kaluar.

MPMS-APRK, në bashkëpunim me UNDP në vazhdimësi po rrit përkrahjen për punëkërkuesit në Kosovë, duke i përkrahur ata në punësim të qëndrueshëm dhe në realizimin e planeve të tyre për biznes si dhe programe tjera në kuadër të masave aktive të tregut të punës.

Më 6 gusht MPMS-APRK dhe UNDP kanë shpallur të hapur Programin e Vetëpunësimit, Programin për Subvencionim në Pagë dhe Programin për Trajnim në Punë për punëkërkues të riatdhesuar me anë të të cilave do të përkrahen rreth 500 punëkërkues te riatdhesuar në Kosovë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë