Gani Geci i përgjigjet kërkim-faljes së Shaban Sylës

Ka marrë fund përplasja disa ditore ndërmjet Shaban Sylës dhe Gani Gecit lidhur me një vrasje të kryer të dielën në Drenas.

Djali i Shaban Sylës, L.S. dhe dy persona të tjerë dyshohen për vrasjen e Q.D., e cila ndodhi katër ditë më parë në fshatin Nekovc.

Në lidhje me vrasjen për të cilën u arrestua të mërkurën djali i tij, Syla ngriti dyshime se konfliktit të së dielës në Nekovc i kishte paraprirë një sulm i “njerëzve të Gani Gecit” ndaj familjes së tij.

Por, Geci ka mohuar kategorikisht përfshirjen e tij, ose të familjes së tij, në një sulm të mundshëm ndaj familjes së Shaban Sylës. Ka thënë të mërkurën se është gati t’ia dëshmojë pastërtinë e tij me 48 pleq.

Një ditë më vonë, Shaban Syla i ka tërhequr dyshimet e tij mbi përfshirjen e Gani Gecit në konfliktin e Nekovcit dhe i ka kërkuar familjes Geci falje publike.

Në këtë avaz, të enjten ka folur edhe Gani Geci. I ka dhënë fund debatit të nisur mes tij dhe Sylës.

Ai ka thënë se e pranon kërkim-faljen e Sylës.

“E pranoj kërkim faljen si akt njerëzor dhe moral të kujt do qoftë që kërkon falje. Edhe një herë une jo vetëm Shaban Sylës, po kujt do në Republikën e Kosovës dhe anembanë shqiptarisë, që ka dyshime në mua, vëllezërit e mij, nipat e mij por që ka dyshime edhe në babain tim që u vra me 1981, babgjyshin tim që u vra me 1845, ktaragjyshin tim që u vra me 1903 që i ka bërë një të keqe tinëz dhe mbrapa shpine familjarve të ndokujtë qe 120 vjet e këndej ne si stërnipa jemi në gjendje t’i përgjigjemi”, ka thënë ai.

Shaban Syla, në dhjetor të vitit 2012 ishte gjetur fajtor nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për veprën penale të vrasjes në tentativë ndaj Adem Salihut, ndërsa më pas edhe nga Gjykata e Apelit e cila kishte vërtetuar këtë vendim.

Ndërsa, Gani Geci është ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, në të cilin institucion ka përfaqësuar dy parti politike: LDK-në dhe LDD-në.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë