Mbahet mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB)

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e katërt të rregullt për këtë vit të cilën e kryesoi nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi.

Të pranishëm ishin shumica e anëtarëve e KKSB-së.

Pikat e rendit të ditës të cilat u diskutuan ishin:
Procesverbali i mbledhjes së rregullt të KKSB-së të mbajtur me 25.06.2020;

Njoftim për situatën epidemiologjike në Komunën e Drenasit;
Njoftim me përgatitjet e ndërmarra nga Drejtoria e Arsimit për fillimin e vitit të ri shkollor;
Të ndryshme.

Procesverbali i mbledhjes së rregullt të KKSB-së të mbajtur më 25.06.2020 u miratua unanimisht, pa ndonjë vërejtje.

Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi, i informoi të pranishmit me situatën aktuale sa i përket të infektuarve dhe gjendjen e tyre shëndetësore, numrin e të shëruarve dhe të vdekjeve në Komunën e Drenasit si pasojë e pandemisë. Drejtori i Inspeksionit Milaim Hajdari i njoftoi të pranishmit për punën e kësaj drejtorie gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht në respektim të zbatimit të rekomandimeve të IKSHP-së dhe Ministrisë së shëndetësisë si dhe për çështje tjera që bien në fushëveprimin e kësaj drejtorie.

Për pikën e tretë, drejtori i Drejtorisë Komunale për Arsim, Muhamet Gjoka, i njoftoi të pranishmit me skenarët e propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kthimin e nxënësve në bankat shkollore. Drejtoria Komunale e Arsimit ka marrë të gjitha masat që mësimi të fillojë sipas skenarit të parë që nënkupton mësimi me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkollë, me masat parandaluese. Në rast të infektimeve pastaj do të veprohet në përputhje me situatën me skenarin B dhe C. Gjithashtu, kjo drejtori, pas konsultimeve me drejtorët e shkollave, është kujdesur që shkollat të furnizohen me pompa spërkatëse dhe me klor, në mënyrë që pas trajnimit të stafit për përdorim të tyre, shkollat të dezinfektohen dy herë në ditë si dhe për furnizim me maska dhe material të nevojshëm higjienik në mënyrë që të gjithë nxënësit të kenë mundësi të marrin pjesë në procesin mësimor. Ndërsa nënkryetari Hasi sqaroi që në zonat rurale numri i nxënësve është më i vogël për dallim në qendra dhe nëse shfaqen raste të infektimit do të kalohet në skenarët tjerë respektivë sipas situatës.

Të pranishmit u interesuan dhe u njoftuan edhe për modalitetet e transportit, për respektimin e distancës nga ana e operatorëve transportues.

Për pikën të ndryshme nuk pati diskutime.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë