Mbahen dëgjimet buxhetore në bashkësinë e Arllatit, Komoranit dhe Drenasit me zonat përreth

Kanë vazhduar edhe sot dëgjimet buxhetore për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe projeksionin buxhetor 2022-2023, duke zbatuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për përdorim të maskave dhe mbajtje të distancës.

Në dëgjimet buxhetore merrnin pjesë, drejtor të drejtorive komunale, përfaqësues të vendbanimeve dhe përfaqësues të lagjeve.

Takimi i parë është mbajtur në bashkësinë e Arllatit me banorët e fshatrave Arllat, Llapushnik, Negroc, Vucak, dhe Gjergjicë. Pastaj në bashkësinë lokale të Komoranit me banorët e fshatrave Kizhnarekë, Nekoc, Fushticë e Ulët dhe e epërme, Korroticë e ulët dhe e epërme, Zabel i ulët dhe i epërm dhe Sankoc. Ndërsa, takimi i tretë është mbajtur në Drenas, me banorë të Drenasit I, II dhe II, Poklek i ri dhe i vjetër, Vasilevë, Gllobar dhe Shtrubullovë.

Dëgjimet buxhetore janë mbajtur me këtë rend dite: informata e përgjithshme lidhur me buxhetin komunal 2021-2023, lista e investimeve kapitale sipas vendbanimeve dhe kërkesat e banorëve.

Qëllimi i mbajtjes së këtyre dëgjimeve buxhetore nga ana e komunës është që të shpalosin para qytetarëve procedurën e shpërndarjes së parasë publike, ndërsa nga qytetarët të marrin kërkesat e tyre për projektet që janë në interes të vendbanimeve ku ata jetojnë.

Të pranishmit në këto takime buxhetore kanë dhënë rekomandimet e tyre, kërkesat dhe projektet që janë me interes të përgjithshëm të kryhen në vitin e ardhshëm e që janë me interes për komunitetin ku ata jetojnë.

Me këto takime, është përmbyllur cikli i dëgjimeve buxhetore për këtë vit, ndërsa qytetarët ende kanë mundësinë që të paraqesin kërkesat e tyre në formën elektronike ose përmes formës fizike në drejtoritë përkatëse.

Kujtojmë se buxheti i Komunës për vitin 2021 do të jetë rreth 16 milion, kurse për investime kapitale për realizimin e projekteve do të jenë afër 4 milion.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë