Ministri i Arsimit viziton Drenasin, tregon si do të mbahet mësimi këtë vit

Drejtori i Drejtorisë Komunale për Arsim në Komunën e Drenasit, Muhamet Gjoka bashkë me drejtorët e dy shkollave të mesme të Drenasit, ka pritur sot në takim Ministrin e Arsimit, Ramë Likaj.

Drejtori Gjoka e njoftoi Ministrin për gjendjen në arsim dhe përgatitjet e bëra nga kjo drejtori për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 në ambientet shkollore. Drejtori Gjoka theksoi se Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci dhe DKA-ja mbeten të përkushtuar për përmirësim të cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Kjo dëshmohet edhe me planifikimin dhe realizimin e shumë projekteve në mënyrë që të gjitha institucionet arsimore në Komunën e Drenasit të kenë infrastrukturë moderne sipas standardeve evropiane.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, nga ana e tij i njoftoi drejtorët për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021. Sipas Ministrit parashihet që mësimi të fillojë për të gjitha nivelet e arsimit në Republikën e Kosovës. Ministri i njoftoi të pranishmit me skenarët e mundshëm, për organizimin e mësimit në kushte pandemie. Sipas skenarit A parashihet kthimi në shkolla apo mësimi me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla, me masa parandaluese. Sipas skenarit B parashihet kthimi i pjesshëm në shkolla apo mësimi i kombinuar-prezencë në shkolla dhe E-mësimi dhe sipas skenarit n C parashihet E-mësimi. MAShT-i ka nxjerrë udhëzimet e qarta për shkallën e rrezikshmërisë për tre skenarët.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë