Kryetari Lladrovci inspekton nga afër korrje-shirjet në Komunën e Drenasit (VIDEO)

Me rastin e fillimit të fushatës së korrje-shirjeve në Komunën e Drenasit, kryetari Lladrovci ka dalë në terren për të parë nga afër ecurinë e kësaj fushate.

Me këtë rast, Lladrovci dhe stafi nga Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural vizituan fermerin Arben Bytyqi nga Arllati i cili ishte në vlugun e korrje-shirjes. Lladrovci uroi atë dhe të gjithë fermerët e Komunës së Drenasit për punën dhe përkushtimin e tyre me dëshirën që rendimentet të jenë sa më të larta dhe t’u shpaguhet mundi i tyre.

Këtë vit në Komunën e Drenasit janë të mbjella rreth 2430 hektarë me grurë, ndërsa sipërfaqja tjetër prej 275 hektarësh është e mbjellë me thekër, elb e bimë foragjere. Sipas informacioneve nga terreni, rendimentet janë të kënaqshme sillen prej 4000 deri 4500 kilogramë për hektar.

Fushata e korrje-shirjes pothuajse ka filluar në të gjitha fshatrat e Komunës së Drenasit, ndërsa janë angazhuar një numër i mjaftueshëm i autokombajnave. Të gjithë auto kombajnerët janë pajisur me vendimin e Drejtorisë së Bujqësisë i cili cakton çmimin për korrje-shirje i cili pas koordinimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe drejtorive komunale për bujqësi, për këtë vit është caktuar të jetë 90 euro për hektar apo sipas marrëveshjes në mes të kombajnerëve dhe fermerëve.

Me këtë rast kryetari Lladrovci u bën thirrje fermerëve dhe të gjithë qytetarëve që të përmbahen nga djegia e hamulloreve (stërnishtave) dhe të mos rrezikojnë duke shkaktuar dëme tokës bujqësore, të mos rrezikojnë sigurinë e qytetarëve si dhe të mos ndotin mjedisin.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë