Akordimi i diplomacisë Britanike dhe Amerikane për Kosovën ishte vendimtare për paqen në Kosovë

Përkujtojmë verën e përgjakshme të vitit 1998, forcat e shtetit serbe në mënyrë të organizuar me ofensivë ushtarake, bëri masakra në Drenicë, Dukagjin dhe në gjithë Kosovën.

Po bëhen 22 vjet, që kur fuqitë diplomatike të botës, me qëndrime të kundërta për Kosovën (ShBA-ja dhe Rusia), kërkonin ndaljen e konfliktit dhe një zgjidhje të statusit politik të Kosovës.

Maji i vitit 1998 ishte historik, me ç’rast për herë të parë, zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Klinton, priti delegacionin e Kosovës. Në qershorin e vitit 1998, delegacioni serb, të cilit i printe krimineli Millosheviq, vizitoi Kremlinin dhe u prit nga Boris Jelcini.

Millosheviqi i kishte premtuar Jelcinit se do ta shkatërrojë UÇK-në gjatë muajit korrik deri në shtator dhe pasi të humbte në terren UÇK-ja, do të fillonte bisedimet pa prezencën e saj, për statusin politik te Kosovës. Vera e vitit 1998, do të duhej të ishte vendimtare për ardhmërinë politike të Kosovës, që pa prezencën politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ofrohej një formë e autonomisë si zgjidhje për Kosovën, meqë Jelcini kishte premtuar një gjë të tillë.

Ishte premtim i Millosheviqit para presidentit rus, Jelcin se do të respektojë rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe se UÇK nuk do të ketë pas kësaj ofensive. Konsolidimi i UÇK-së u intensifikua edhe më tej nga të rinjtë e të rejat kosovare, përkundër deklaratës së kryeministrit serb para parlamentit, se të gjitha bazat e UÇK-së ishin shkatërruar dhe nuk ekzistojnë në terren.

Paaftësia dhe pamundësia e Serbisë për ta shkatërruar UÇK-në, bëri kthesë.

Kjo kthesë e bëri UÇK-në faktor politik të rëndësisë së veçantë në bisedimet ndërkombëtare për statusin politik të Kosovës dhe kishte prishur premtimin e Milloshviqit, që ia kishte bërë Jelcinit në zyrën e tij, se deri ne vjeshtë të 1998, do ta shkatërronte UÇK-në dhe do të fillonte bisedimet me palën shqiptare, pa prezencën politike te UÇK -së.

Presidenti Klinton nga takim i shtatorit në Moskë me Jelcinin, ishte përqendruar me diplomaci që të arrinte marrëveshje me rusët për Kosovën, duke anashkaluar qeverinë serbe, me qëllim që bashkërisht t’ia imponojnë Beogradit, zgjidhjen për Kosovën.

Vendosja e Misionit Verifikues në Kosovë ndihmoi konsolidimin e UÇK -së në terren, duke zgjeruar shtrirjen, pothuajse në të gjithë Kosovën. SHBA-ja dëshironte që përfaqësuesit e UÇK-së të jenë në bisedimet e ardhshme për Kosovën për ketë kishte vendosur ne qershor vitit 1998 administrata e Presidentit Klinton.

Ky punim, është i bazuar në dokumente të pabotuara dhe të botuara pjesërisht, të cilat dëshmojnë përpjekjet anglo-amerikane në luftën diplomatike të zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

(Autori është Doktor i Historisë dhe Drejtor në Shkollën e Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas)

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë