Kuvendi Komunal i Drenasit miraton deklaratën në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së

Kuvendi Komunal i Drenasit ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës ishte propozimi i kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, që të miratojë një deklaratë në të cilën vlerësohet lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përkrahur nga forcat e NATO-s e prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deklarata vlerëson të paprecedent dhe dënon publikimin e njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për aktakuzë ndaj dy liderëve kryesorë të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, duke shprehur bindjen për pafajësinë e tyre.

Në fjalën e tij, kryetari Lladrovci tha se lufta mbrojtëse e UÇK-së ka qenë luftë e imponuar nga dhuna jonjerëzore dhe veprimet gjenocidale të okupatorit serb, se ka qenë luftë e drejtë dhe nuk mund të njolloset asnjëherë. Kujtojmë këtu masakrën e Likoshanit, Abrisë, Vërbocit, Shtuticës, Poklekut, Çikatovës e dhjetëra masakra tjera. Ndjehemi të indinjuar që kryesit e vërtetë të krimeve e gjenocidit nuk janë gjykuar akoma nga Drejtësia Ndërkombëtare dhe ne si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve të njërës nga komunat më të goditura nga gjenocidi serb, ndjehemi të fyer e të prekur thellë me veprimet e motivuara politikisht të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, tha ndër të tjera kryetari Lladrovci.

Edhe përfaqësuesit e partive tjera të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Drenasit shprehën përkrahjen e tyre për luftën e drejtë të UÇK-së, për nevojën për një bashkëpunim më të mirë institucional dhe për nevojën për hartimin e ligjit me të cilën do të mbroheshin vlerat e luftës në mënyrë institucionale. Lufta për çlirim ka qenë luftë e drejtë mbrojtëse, dhe pjesëtarët e UÇK-së janë heronjtë tanë të cilët deri më tani janë ballafaquar me shumë sfida dhe tentativa të pareshtura për etiketim. Agresori i vërtetë është Serbia, dhe kriminelët e vërtetë janë matanë kufirit.

Pas diskutimeve deklarata u miratua unanimisht. Pas mbledhjes asambleistët dhe ekzekutivi komunal bënë një marshim në qytet dhe bënë homazhe pranë shtatoreve të heronjve të vendosura në sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci” në Drenas.

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë