Përkujtohet Gani Sylaj në një vjetorin e vdekjes

Në një vjetorin e vdekjes, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci drejtorë, staf komunal dhe asambleistë bënë homazhe tek varri ku pushon trupi i veprimtarit të hershëm për çështjen kombëtare, ish-kryetar dhe nënkryetar i Komunës së Drenasit, Gani Sylaj.

Pas homazheve, ata vizituan familjen e tij dhe u informuan nga kryetari Lladrovci se për të nderuar kujtimin për jetën dhe veprën e Gani Sylajt, Komuna e Drenasit ka përfunduar të gjitha procedurat e parapara që paralelja e ndarë shkollore në fshatin Poklek të Ri të mbajë emrin e tij.

Të pranishmit evokuan kujtime dhe diskutuan për personalitetin shumëdimensional të Gani Sylajt, i cili i kushtoi një jetë të tërë luftës për shkollim, për emancipim kulturor dhe vetëdijesim kombëtar. Veprimtaria e tij tashmë është e jetësuar në memoaret të cilat na la kujtim të një epoke të furishme, në të cilën përkushtimi dhe bindja për çështjen kombëtare e tejkalonin çdo sfidë. Pas burgosjes qëndroi, stoik dhe dinjitar në qëndrimet e tij. Veprimtaria e tij do të zërë vend edhe në raportet e Amnesty International të vitit 1981.

Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, gjatë dhe pas luftës së lavdishme të UÇK-së, Gani Sylaj dha kontribut në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës, duke udhëhequr Komunën e Drenasit gjatë viteve 2002-2006, dhe ishte nënkryetar i Komunës derisa ndërroi jetë më 4 korrik 2019.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë