Lladrovci raporton para qytetarëve për punën gjashtëmujore

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur tubimin me publikun, ku ka raportuar para qytetarëve për punën gjashtëmujore të këtij viti dhe planifikimin e punëve për pjesën e dytë të vitit 2020. Takimi është mbajtur në Sallën e Kulturës për shkak të mbajtjes së distancës mes pjesëmarrësve.

Në këtë takim merrnin pjesë, drejtor të drejtorive komunale, kryetar të vendbanimeve, përfaqësues të lagjeve dhe qytetarë.

Në tubim janë diskutuar aktivitetet e Komunës të kryera për pjesën e parë të vitit. Takimin e ka hapur, Udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun, Bekim Dobra, i cili ka treguar për rëndësinë e këtij takimi me publikun dhe ka treguar se njoftimi është bërë me kohë sipas ligjit.

Ndërsa kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e treguar gjatë pandemisë dhe në realizimin e projekteve. Lladrovci ka raportuar për gjitha punët e kryera gjatë kësaj kohe, sfidat me pandeminë globale covid-19 dhe për realizimin dhe ngecjen e projekteve kapitale. “Që nga muaji mars, një ditë para se në vend të shfaqen rastet e para me covid-19, e kemi formuar Shtabin Emergjent Lokal për të menaxhuar situatën e pandemisë, i kemi mbajtur po ashtu 10 mbledhje të këtij shtabi e 17 mbledhje të Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar dhe janë marr masat e nevojshme për të tejkaluar situatën e krijuar nga covid-19. Deri në muajin maj kemi pasur vështirësi në realizimin e projekteve kapitale, për shkak se niveli qendror na ka pamundësuar të zhvillojmë procedura të prokurimit, por vetëm për një muaj, pra nga muaji maj e deri më tani, janë në proces për realizimin e projekteve mbi 2 milion euro dhe me këtë trend të realizimit deri në përfundimin e këtij viti, besoj që do të realizojmë të gjitha projektet e planifikuara për këtë vit, përkundër sfidave që kanë dalur nga pandemia globale”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Të pranishmit, kanë shtruar pyetje dhe kanë dhënë propozime e sugjerimet e tyre për përfaqësuesit e zgjedhur komunal lidhur me realizimin e projekteve të planifikuara për gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 dhe ato që janë të planifikuara për pjesën tjetër të vitit dhe nga kryetari Lladrovci kanë marr përgjigje për secilën pyetje të parashtruar nga pjesëmarrësit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë