Storie nga Drenasi/ Një hap më afër punësimit të qëndrueshëm

Leotrim Doshlaku nga Komuna e Drenasit (Gllogocit), vite me parë kishte vendosur të studionte shkencat politike mirëpo edhe pas diplomimit, nuk e kishte ushtruar profesionin në fushën e studimeve.

Duke qenë i papunë, ai iu drejtua Zyrës së Punësimit në Drenas (Gllogoc) për tu regjistruar si punëkërkues dhe për tu njohur me mundësitë për punësim. Vitin e kaluar, Leotrimi përfitoi nga mundësia e ofruar për të filluar punë në një fushë tjetër nga ajo që ka studiuar, fushën administrative.

Në mars tëvitit 2019, Leotrimi filloi punën në ndërmarrjen ndërtimore “Trasing Group SH.P.K” në Drenas (Gllogoc), i angazhuar për të përmbushur detyra të përgjithshme administrative.
“Kohët e fundit kemi operuar kryesisht përmes telefonit nga shtëpia dhe ka qenë paksa sfiduese, por më në fund jemi kthyer sërish në zyrë”, thotë Leotrimi.

Leotrimi është njëri nga përfituesit e Programit të Subvencionimit në Pagë. Vitin e kaluar, ai u mbështet nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) me mbështetje të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), përmes Programeve Aktive të Tregut të Punës (ALMP 2).

Përmes Programit të Subvencionimit në Pagë, në bashkëpunim me bizneset vendore, APRK po i sjell punëkërkuesit më afër tregut të punës, me synim mbështetjen në punësim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë