Rifillon mësimi për klasat e nënta në Komunën e Drenasit

Pas vendimit të qeverisë për lehtësimin e masave kufizuese, sot në Komunën e Drenasit ka rifilluar mësimi për klasat e nënta.

Komuna e Drenasit respektivisht Drejtoria për Arsim e Komunës së Drenasit ka marrë të gjitha masat e kërkuara dhe ka bërë përgatitjet e nevojshme në përputhje me rekomandimet e IKSHP-së. Të gjitha objektet shkollore janë dezinfektuar dhe përgatitur për procesin mësimor. Pas kësaj periudhe mësimi plotësues nxënësit e klasave të nënta do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë.

Nazmi Hasi, nënkryetar i Komunës së Drenasit, dhe Drejtori për Arsim, Muhamet Gjoka vizituan shkollën “Halil Bajraktari” në Drenasin II për të parë nga afër mbarërvajtjen e mësimit.

Gjatë vizitës, ndër të tjera nënkryetari Hasi i këshilloi nxënësit që t’i kushtojnë rëndësi kësaj kohe në përvetësimin e njohurive nga lëndët të cilat do të përfshihen në testin e arrritshmërisë sepse zgjedhja e drejtimit të dëshiruar në shkollën e mesme do të varet nga suksesi që do të kenë në testin e arritshmërisë. Orientimi i hershëm në karrierë garanton sukses, u tha nxënësve ndër të tjerash Drejtori Gjoka.

Komuna e Drenasit vazhdon të jetë komunë me zero të infektuar me virusin COVID-19.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë