Polici fyen rëndë Drenicën: Rrethimi i saj me tela e bën Kosovën me kopsht zoologjik

Një zyrtar policor nuk ka mundur të përmbahet që ta shpreh urrejtjen për një rajon të Kosovës, në këtë rast, rajonin e Drenicës.

Zyrtari policor, Besnik Demiri, në një faqe në cilën tregohen barcoleta, polici Demiri, e ka quajtur rajonin e Drenicës, mundësi për t’u bërë kopsht zoologjik, shkruan Insajderi.org.

“A dini qysh mundet Kosova mu bo me kopsht zoologjik për një kohë të shkurt….veç e rrethekon Drenicën n’tela”, ka shkruar polici Demiri në faqen “Barcolea Shqip”, në rrjetin social Facebook.

Këtë e ka publikuar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila ka reaguar ashpër duke e quajtur racizëm të hapur.

“Ku ka mbërri të degjeneroj diskursi publik i instaluar, motivuar edhe financuar nga subjekte të caktuara politike për manipulim me masa të caktuara qytetare dëshmon statusi i këtij personi që nuk turpëron veç uniformën e institucionit më të besuar në Kosovë, po na turpëron të gjithëve si shoqëri, ku kem lejuar të katandisemi. Kësi racizmi i hapur i shfrenuar ndaj një rajoni të tërë, ndër rajonet më të përvuajtuara ndër vite, nuk e kisha paramenduar as nga armiku më i urryer i yni”, ka thënë Deliu-Kodra, në rrjetin social Facebook.

Madje, deputetja Deliu-Kodra, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të reagojnë dhe distancim publik i të gjithë atyre që e ushqejnë këtë gjuhë të urrejtjes.

“Identifikimi i Drenicës me një subjekt të caktuar politik nuk është arsyetim për të lancuar fushata urrejtëse e raciste që lehtë mund të eskalojnë. Përpjepkja për ta dehumanizuar me praktikat nazisto-fashiste një rajon të tërë është veprim i pafalshëm dhe nuk duhet të falet. Ky rast dhe të tillat të ngjashme kërkojnë reagim të menjëhershëm të organeve të sigurisë e drejtësisë dhe distancim publik dhe kërkim falje publike nga të gjithë ata që ushqejnë këtë gjuhë të urrejtjes e përhapjes së racizmit”, ka shtuar ajo.

Deliu-Kodra, shtoi se ajo është nënë e dy fëmijëve nga Drenica, për të cilët ka siguruar se asnjëri prej tyre nuk është kafshë për t’u mbajtu (ngujuar) nën tela!

“Turp për krejt ata që heshtin!”, ka përfunduar Deliu-Kodra.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë