Sqarim për opinionin publik dhe qytetarët e Drenasit

Komuna e Drenasit sqaron opinionin publik dhe qytetarët e Drenasit se gjatë inspektimit të inspektorëve me datë 24 prill (e premte) në Zyrën e Punësimit, për shkak të mosrespektimit të masave për mbrojtje nga virusi COVID-19 ka marrë masa për mbylljen e zyrës.

Kjo masë është marrë pasi inspektorët komunal gjatë inspektimit kanë vërejtur se zyra në fjalë nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur shëndetin e stafit dhe qytetarëve nga virusi COVID-19 sipas rekomandimeve të IKShP-së dhe urdhëresave tjera të nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë e METPINIS.

Për hir të korrektësisë, njoftojmë qytetarët e Drenasit dhe mediat se gjatë inspektimit dhe riinspektimit në këtë subjekt me proces është konstatuar se nuk janë marrë masat e duhura siç janë rekomanduar me urdhëresën e lëshuar nga Drejtoria e Inspekcionit. Në këtë subjekt nuk është bërë dezinfektimit i hapësirave të punës si dhe punëtoret kanë qenë pa mjete mbrojtëse duke mosrespektuar masat e vendimit “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse Covid-19” të nxjerrë nga niveli qendror.

Si rrjedhojë e moszbatimit të masave edhe pas paralajmërimit, inspektorët kanë qenë të obliguar të veprojnë sipas ligjit dhe urdhëresave të nivelit qendror, duke e mbyllur me shenjë zyrtare deri në marrjen e masave mbrojtëse ndaj virusit, në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i stafit dhe qytetarëve.

Ndërsa, sa i përket deklaratave të Zyrës së Punësimit se kinse qytetarët kanë mbetur pa aplikuar për pakon emergjente, ju njoftojmë se aplikimi mund të kryhet online dhe nuk ka asnjë pengesë në këtë drejtim.

Inspektorët komunal edhe gjatë ditës së sotme kanë inspektur objektin në fjalë, mirëpo, të njëjtin nuk kanë marrë masa të nevojshme për mbrojtje nga virusi dhe si i tillë Zyra e Punësimit po qëndron mbyllur. Për këtë ne si komunë do të ndërmarrim masa të nevojshme në përputhje me rekomandimet e IKShP-së dhe masave tjera të nivelit qendror.

Në fund, me mirëkuptim kërkojmë nga të gjitha institucionet e nivelit qendror që kanë objekte institucionale në Drenas, të marrin masa konfrom rekomandimeve të IKShP-së dhe urdhëresave tjera, në mënyrë që të sigurohet mbrojtje për stafin dhe të ofrohen shërbime të sigurta për qytetarët.

Ne jemi angazhuar dhe përkushtuar që të ruajmë shëndetin e qytetarëve tanë në këtë kohë pandemie, ku deri tani në bashkëpunim me qytetarët dhe akterët e tjerë relevant kemi menaxhuar mjaftë mirë situatën e emergjencës shëndetësore.

Me respekt,

Zyra për Komunikim me Publikun

Komuna Drenas

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë