Mblidhet Shtabi Emergjent dhe Qendra Operative Lokale Emergjente: Diskutohet për pandeminë dhe zjarrrvëniet në Drenas

Pas rrethanave të reja të krijuara në Komunën e Drenasit si pasojë e identifikimit të një qytetari të Drenasit të infektuar me virusin COVID-19, shpalljes së fshatit Zabel i Ultë vatër e infeksionit, dhe rritjes së dukurisë së zjarrvënieve në Komunën e Drenasit, Shtabi Emergjent dhe Qendra Operative Lokale Emergjente mbajtën një mbledhje në të cilat u diskutua për këto dy tema dhe masat respektive.

Sa i përket rastit me virusin COVID-19, raportoi drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arsim Haxhiu.

Ai i njoftoi të pranishmit me masat e marra të cilat i përkasin nivelit komunal lidhur me karantinimin e familjes së personit të prekur me virus dhe vlerësimit të gjendjes dhe të kontakteve të mundshme.

Për pikën e dytë, shefi i zjarrfikësve në Drenas, Afrim Gjeli, tha se këto ditë ekipi i zjarrfikësve është ballafaquar me një numër të rritur të zjarrvënieve.

Veçanërisht zjarri i mbrëmshëm që përfshinte sipërfaqe qindra hektarësh të tri fshatrave Baicë, Tërdevc dhe Abri e Eperme. Lokalizimi i zjarrit u bë sot në orët e hershme të mëngjesit ku si pasojë pati dëme të shumta në florë dhe faunë.

Ndër të tjera ai tha se zjarrfikësit e Drenasit po ballafaqohen me mungesë kronike të stafit për tu përballë me këtë intensitet të shtuar të zjarrvënieve.

Komandantja e Stacionit Policor në Drenas, Feime Bajrami kërkoi nga anëtarët e Shtabit Emergjent dhe Qendrës Lokale Emergjente të raportojnë dhe të njoftojnë për çdo informacion që mund të kenë për grumbullimin e popullatës dhe ata do të marrin masat e nevojshme, edhe pse shpeshherë ballafaqohen me terrene të papërshtatshme për të depërtuar.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë