Mbahet mbledhja e Shtabit Emergjent në Drenas, diskutojnë për gjendjen aktuale të pandemisë

Shtabi Emergjent i Komunës së Drenasit, ka mbajtur mbledhjen e radhës për të diskutuar lidhur me situatën aktuale emergjente të shëndetësisë të krijuar nga pandemia COVID-19. Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka prezantuar edhe tre anëtarët e ri të shtabit nga Asambleja Komunale, Qendrim Mulaj nga pozita dhe asamblistët Sokol Bylykbashi e Petrit Gashi nga opozita, të cilët janë edhe në komisionin për menaxhimin e fondit që ndarë për emergjencën shëndetësore.

Në këtë mbledhje, anëtarët e shtabit emergjent kanë raportuar në lidhje me zbatimin e masave të ndërmarra për parandalimin e COVID-19, si dhe kanë diskutuar lidhur me nevojat dhe kërkesat për furnizim me gjëra të nevojshme që i duhen stafit shëndetësor për emergjencën shëndetësore.

Kryetari Ramiz Lladrovci ka thënë se situata aktuale në Drenas është mirë ngase nuk ka asnjë të verifikuar me virusin COVID, mirëpo, ka kërkuar nga anëtarët e shtabit të jenë në krye të detyrës dhe të monitorojnë zbatimin e masave mbrojtëse me përgjegjësi të shtuar. Kryetari Lladrovci po ashtu ka kërkuar nga Drejtori i QKMF-së dhe DSHM-së që në bashkëpunim me asamblistët dhe disa zyrtarë komunal të hartojnë një listë me gjëra prioritare që i duhen stafit shëndetësor. Derisa, ai ka bërë të ditur se të mërkurën, do të nisin shpërndarjen e 600 pakove ushqimore-higjienike për familjet në nevojë sipas listave që i kanë përcjellur administratorët e fshatrave.

Edhe anëtarët e tjerë kanë raportuar për sektorët të cilët po menaxhojnë, ndërsa, asamblistët e opozitës dhe pozitës kanë dhënë mbështetje që të kontribuojnë si pjesë e shtabit për të tejkaluar këtë gjendje emergjente dhe në rast se konfirmohet ndonjë rast nga Drenasit.

Kryetari Lladrovci ka falënderuar shtabin emergjent, stafin shëndetësorë, zyrtarët policor, zjarrfikësit, bizneset që kanë ndihmuar vullnetarisht dhe qytetarët të cilët po respektojnë vendimet e nivelit qendror dhe lokal.

Në raste emergjente që kanë të bëjë me virusin COVID-19, ju rikujtojmë që Komuna e Drenasit ka në dispozicion numrin pa pagesë të publikuar në ueb faqe të komunës që është 0800 13050 ose në numrin e Zyrës për Informim 038 200 40870.

Pa panik, por me kujdes të shtuar bashkë ia dalim!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë