Për një bashkërendim më të mirë, Kryetari Lladrovci takohet me përfaqësuesit e Kryqit të Kuq, dega në Drenas

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pritur në takim përfaqësuesit e Kryqit të Kuq, dega në Drenas, Nuhi Hoxha dhe Egzon Morina.

Takimi u bë me qëllim të bashkërendimit të ndihmës për familjet nevojtare në Komunën e Drenasit. Në takim u theksua nevoja për një koordinim më të mirë të përbashkët dhe u dakordua që bashkërendimi të bëhet edhe përmes administratorëve të vendbanimeve. Administratorët janë duke bërë më të mirën e mundshme, përkundër resurseve të kufizuara dhe Komuna e Drenasit i falënderon për angazhim dhe përkushtim.

Andaj, një bashkërendim i suksesshëm do t’u mundësonte të gjithë familjeve nevojtare që të përfitojnë sipas një radhe në bazë të nevojave emergjente, e jo që dikush të përfitojë njëkohësisht nga dy institucione apo organizata të ndryshme.

Komuna e Drenasit kërkon nga qytetarët që të shmangin daljet dhe të jenë në kontakt përmes telefonit me administratorët e vendbanimeve, në mënyrë që bashkërisht të tejkalojmë këtë situatë emergjente.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë