Vullnetarët shëndetësorë i përgjigjen thirrjes së Kryetarit Lladrovci

Në këtë situatë emergjente që është vendi, kontributi vullnetar i secilit është i mirëpritur për të tejkaluar bashkë, sigurt, dhe pa panik.

Thirrjes së Kryetarit Ramiz Lladrovci për paraqitje vullnetare për të ndihmuar personelin shëndetësor, i është përgjigjur infermieri Lirim Krasniqi nga fshati Llapushnik i Komunës së Drenasit.

Infermieri Krasniqi ka shprehur vullnetin dhe dëshirën që të japë kontributin e tij në menaxhimin e situatës, duke ofruar ndihmë të pakursyer për stafin shëndetësor në Drenas. Këtë, ai thotë se e bën për të menaxhuar bashkë këtë situatë, e cila dita e ditës mund të shkaktojë rritje të numrit të infektuarve me virus COVID-19.

Kryetari Lladrovci e ka mirëpritur gatishmërinë e tij për të mbështetur personelin mjekësor, duke e falënderuar për paraqitjen vullnetare të tij për ndihmë.

“Në qoftë se mjekët i quajmë heronj, vullnetarizimi është edhe më heroizëm. Ju jeni ata që e bëni krenar vendin”, ka thënë Lladrovci.

Derisa, edhe Drejtori i Shëndetësisë, Arsim Haxhiu, theksoi se personeli mjekësor do ta mirëpresë jo vetëm Krasniqin, por, të gjithë të tjerët që janë të gatshëm të ndihmojnë për tejkalimin e kësaj gjendje.

Ndryshe, edhe shumë mjek të ordinancave private kanë shprehur gatishmërinë të ndihmojnë në mënyrë vullnetare sa i përket ofrimit të shërbimit shëndetësor, të cilët i ka falendëruar Kryetari Lladrovci.

Kryetari Lladrovci u ka bërë thirrje edhe njëherë të gjithë studentëve të mjekësisë, apo të tjerë profesionistë që janë pjesë e fushës së shëndetësisë, që të japin kontributin e tyre për të tejkaluar këtë gjendje bashkë, sigurt dhe në mënyrë profesionale.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë