Kazermat e FSK-së mund të shndërrohen në karantina- një ushtar vetizolohet

Të gjitha kazermat e Ushtrisë së Kosovës janë në gjendje gatishmërie për t’u shndërruar në karantina nëse një gjë e tillë është e nevojshme.

Këtë e ka bërë të ditur komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në një intervistë për KOHËN.

Ai ka theksuar se struktura e tyre është e përshtatshme për t’u shndërruar në objekte të tilla dhe kanë kapacitet për shtrimin e rreth 1 600 personave.

Rama ka bërë të ditur se i është kërkuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që ta vërë në gjendje gatishmërie ushtrinë nëse kërkohet.

Gjeneral Rama ka treguar se përveç gatishmërisë me mjete logjistike, siç është delegimi i kontejnerëve në veri të Kosovës dhe tendave para të gjitha spitaleve rajonale, ushtria ka edhe kapacitet njerëzor për t’u përballur me situatën.

Aktualisht një pjesëtar aktiv i FSK-së është vetizoluar për shkak se vëllai i tij ka rezultuar pozitiv me “Covid-19”.

Pos tij janë vetizoluar të gjithë pjesëtarët e FSK-së që kanë qenë duke u shkolluar në akademitë ushtarake në Amerikë, Gjermani, Britani e shtete të tjera, e të cilët janë kthyer në Kosovë në këtë kohë.

Sipas kreut të FSK-së, ushtarakët e tjerë që ndodhen në trajnim jashtë vendit janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me shtabin e Kosovës.

E njëjta situatë është edhe me atashetë ushtarakë të Kosovës. Aktualisht FSK-ja është duke vepruar me batalione të përgjysmuara, por që të gjitha janë në gjendje gatishmërie.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë