Infermierë të shumtë paraqitën vullnetarisht për të ndihmuar stafin shëndetësor në Drenas

Thirrjes së Kryetarit Ramiz Lladrovci për të ndihmuar personelin shëndetësor në rast nevoje, në këtë situatë emergjente, i janë përgjigjur shumë infermierë vullnetarë.

Përveç infermierit Lirim Krasniqi, të gatshëm për të kontribuar për Komunën e Drenasit janë treguar edhe disa të tjerë infermierë.

Edona Karaxha, Agnesa Mulaku, Shqipdona Gjinovci, Ardiana Prokshi-Heta, janë vetëm disa prej infermierëve të cilat kanë shprehur vullnetin për tu bërë pjesë e personelit shëndetësor në QKMF në Drenas, në mënyrë që të menaxhojnë se bashku situatën dhe që të ofrojnë shërbime profesionale e të sigurta për qytetarët.

Ky numër i vullnetarëve vetëm sa po rritet, mirëpo, nevojat për tu pajisur me maska, doreza e dezinfektuese janë të mëdha për stafin shëndetësor të Drenasit.

Andaj, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, që të furnizojnë QKMF-në në Drenas dhe QMF-në në Komoran, me pajisje të nevojshme mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.

Nevoja për tu furnizuar është e arsyeshme, pasi stafi nuk ka pajisje të mjaftueshme, edhe vullnetarët e rinj që do t’i bashkëngjiten personelit, gjithashtu kanë nevojë.

Deri tani nuk ka raste të verifikuara me virus COVID në Drenas. Shtabi Emergjent po e mbikëqyrë situatën dhe po zbaton rekomandimet e IKSHP-së.

Kryetari Lladrovci ka falënderuar infermierët vullnetarë të paraqitur, duke i quajtur heronj dhe krenari të vendit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë