Mbahet mbledhje e Shtabit Emergjent në Drenas, vlerësohet gjendja aktuale

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot ka thirrur mbledhje të Shtabit Emergjent për të diskutuar lidhur me situatën aktuale dhe masat preventive ndaj virusit COVID-19.

Në këtë takim, Kryetari Lladrovci, kërkoi angazhimin e secilit drejtor në mënyrë që masat për parandalimin e virusi të zbatohen në përpikëri, pa panik, por me kujdes të shtuar.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arsim Haxhiu raportoi për situatën aktuale në institucionet shëndetësore, derisa theksoi se stafi janë të gatshëm që të ofrojnë shërbime të sigurta dhe profesionale për qytetarët.

Po ashtu, pjesë e shtabit emergjent ishte edhe Komandantja e Stacionit Policor, Feime Bajrami, e cila theksoi se Policia në Drenas, është në gjendje gatishmërie dhe ofron bashkëpunim për komunën dhe qytetarët. Vlen të theksohet se zyrtarët policor bashkë me Drejtorin e Inspeksionit, Milaim Hajdari, kanë inspektuar kafet, restaurantet, dyqanet ushqimore dhe barnatoret.

Kryetari Lladrovci ka kërkuar nga kompania Kompania Rajonale Ujësjellësi dhe Kompania e Mbeturinave “Pastrimi” që në këtë periudhë të jenë në nivel të detyrës dhe që të marrin masa të nevojshme për mbrojtje nga virusi COVID.

Inspektimi dhe detyrat tjera të caktuara, do të vazhdojnë në mënyrë që të sigurohet zbatimi i masave parandaluese të virusit COVID-19 dhe të ofrohen shërbime të sigurta për qytetarët.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë