Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme në Drenas e KKSB-së, ja çka u bisedua

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme të cilën e kryesoi kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Të pranishëm ishin shumica e anëtarëve e KKSB-së, përfaqësues nga KFOR-LMTK15.

Temë e rendit të ditës ishte njoftimi i përfaqësuesve të KKSB-së, për masat e ndërmarra nga Komuna e Drenasit për mbrojtje nga virusi COVID-19, pas vendimit të djeshëm të Qeverisë dhe pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Bordit të Drejtorëve të Komunës së Drenasit.

Kryetari Lladrovci i njoftoi të pranishmit për vendimet e marra sot gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të bordit të drejtorëve, ku ndër të tjerash u mor vendim për formimin e Shtabit Emergjent, i cili përbëhet nga të gjithë akterët relevant në Komunën e Drenasit, të cilët do të përkujdesen për marrjen dhe zbatimin e masave preventive ndaj virusit COVID-19 (Koronavirusi).

Gjithashtu, kryetari Lladrovci, sqaroi se thirrja e vonë e mbledhjes së djeshme të Qeverisë dhe mënyra e marrjes së vendimit ka shkaktuar panik tek qytetarët të cilët kanë krijuar radhë në dyqane. Andaj, me këtë rast, i njoftoi se ka kërkuar nga inspektorët komunalë që të jenë aktivë në terren, dhe t’i monitorojnë bizneset për ngritje të çmimeve.

Kryetari Lladrovci i njoftoi të pranishmit se ka kërkuar nga qytetarët që të raportojnë për keqpërdorimet me çmime dhe që gjatë blerjes të pajisen me kuponë fiskalë.

Arsim Haxhiu, Drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i njoftoi të pranishmit me informacionet më të reja rreth virusit dhe për gjendjen aktuale në komunën tonë, si dhe për masat e marra nga kjo drejtori duke theksuar se nuk ka elemente për panik. Një kujdes i veçantë po i kushtohet të sapoardhurve nga Italia dhe vendet potenciale.

Kryetari u ka kërkuar studentëve nga komuna jonë, që të jenë të gatshëm për të kontribuar në rast nevoje, e po ashtu që edhe policia të jetë vigjilente kundër keqbërësve të mundshëm që mund të përfitojnë nga kjo situatë.

Vendimi i fundit i Qeverisë ka krijuar edhe paqartësi rreth pushimit të njërit prind dhe me këtë rast kemi kërkuar sqarime shtesë nga qeveria për këtë çështje, tha kryetari Lladrovci.

Në fund, kryetari i njoftoi të pranishmit se Komuna e Drenasit nuk ka ndërprerë shërbimet për qytetarë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë