Drejtoresha Shqipe Zogu me fjalim emocionues në KK të Drenasit

Drejtoresha për Rini dhe Kulturë në Drenas, Shqipe Zogu ka mbajtur një fjalim emocionues në seancën solemne të Kuvendit Komunal kushtuar 8 Marsit, Ditës Nderkombëtare të Gruas.

Fjalimi i saj i plotë:

I nderuar Krytear i Komunës z.Lladrovci, i nderuar nënkryetar, Kryesues i kësaj seanca, të nderuar asamblistë, drejtorë, të nderuar të pranishëm.
Fakti që sot jemi mbledhur në këtë Seancë Solemne të Kuvendit Komunal, kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Gruas, troket dhe më thellë në ndërgjegjen institucionale për të dëshmuar se 8 Marsi nuk është vetëm dita kur gruas duhet t’i dhurohen lule, por se 8 Marsi në gjenezën e saj si ditë botërore apo ndërkombëtare, shënoi revolucionin më të madh të barazisë ndër-gjinore, kur gratë i dhanë fund heshtjes për të ngritur zërin në kërkim të të drejtave dhe lirive të tyre. Prandaj nëse ndalemi dhe mendojmë pse ekziston kjo datë, përgjigja e vetme është se dikur gratë ishin totalisht të pabarabarta me burrat dhe dita kur ato vendosën t’i japin fund nënshtrimit ndaj burrave u quajt Dita e Gruas.
Edhe sot kur po i jetojmë ditët e shekullit 21, vazhdon të ndihet diskriminimi gjinor dhe jo vetëm në Kosovë por dhe më gjerë. Pavarësisht se ne si shoqëri e cila pas Luftës së Dytë Botërore, përqindja më madhe e popullatës nuk dinte shkrim-lexim; si shoqëri që vazhdimisht kemi qenë të shtypur e të izoluar, për këto pak vite liri dhe pak shtet, përparimi është i dukshëm, por ende gruaja nuk peshon aq sa burri në shoqëri, ende duhen fushata e kuota gjinore në përkrahje të tyre, sot kur shpesh dëgjojmë për denoncime të shumta të rasteve të dhunës psiqike e fizike ndaj grave, shihet qartë se kemi ende shumë punë për të bërë.
Pozitat vendimmarrëse kanë qenë përherë pikë e vështirë për t’u arritur nga gratë, por që fatmirësisht vërehet përmirësim në këtë drejtim. Personalisht kam nderin që sot të flas para jush, jo sepse jam grua por sepse mbaj një pozite drejtuese dhe për këtë gjë gjithsesi që ndaj mirënjohje të thellë për kryetarit që jo vetëm se zbatoi ligjin për barazi gjinore dhe mbajti një premtim elektoral, por që përmes nesh vazhdon të jap shembull dhe për komunat e tjera, institucionet e tjera, se gruas duhat tu besohen pozitat vendimmarrëse ashtu siç dhe i meritojnë.
Sot kemi 38 gra që përfaqësojnë popullin në Kuvendin e Kosovës, e që duhet të ishin më shumë, kemi një grua në krye të këtij institucioni, kemi 5 gra që drejtojnë ministri të ndryshme e po ashtu kishim një grua presidente. E gjithë kjo është pa dyshim një shembull i mirë por nuk duhet të ndalemi, duhet të vazhdojmë të luftojmë stereotipet gjinore, stereotipet se ne jemi gra dhe s’mundemi, se ne s’ia dalim sepse te kundërtën e kësaj e kanë dëshmuar shumë gra.
E dim se përfaqësimin më të lartë botëror të sportit kosovar e bëri një grua, Majlinda Kelmendi, pothuajse të gjithë filmat vendor që u vlerësuan ndërkombëtarisht u realizuan nga gratë, si Arzana Kraja, Blerta Zeqiri, Antoneta Kastrati, Lendita Zeqiraj etj. Këngëtaret që po na bëjnë krenar kudo në botë, si Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi, Arilena Ara, Bebe Rexha janë gra, Nënë Tereza që shpërndau humanitet kudo nëpër botë duke mos mohuar përkatësinë shqiptare, ishte një grua.
Se gratë mund të ia dalin edhe pa burrat tregon rasti i grave të Krushës, të cilat me gjithë dhimbjen në supe për bashkëshortët dhe familjarët e vrarë në luftë, nën drejtimin e Fahrije Hotit, krijuan kompaninë “Krusha”, për t’u bërë shembull i grave të fuqishme, grave ndëmarrëse dhe të zonja.
Pra sot kemi mjaftueshëm shembuj për të thënë se gratë munden, se gratë ia dalin, mjafton t’u hapet rruga, të mos pengohen dhe të mbështeten e ato kanë për ta dëshmuar vetën.
Andaj përveç se t’iu uroj të gjitha grave 8 Marsin, u bëj edhe thirrje që të luftojmë për çdo padrejtësi që na bëhet në emër të gjinisë dhe më e rëndësishmja ta mbështesim njëra-tjetrën.
Ne të gjitha këtu që jemi e kemi më shumë se obligim ligjor të kryejmë punën tonë me përkushtim të lartë profesional e njerëzor, ngase mbi supet tona mbajmë përgjegjësin e trasimit të rrugës drejtë barazisë së plotë gjinore, për gratë që do të vijnë pas nesh.
Ju faleminderit!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë