Gjykata në Drenas, palët arrijnë marrëveshje gjyqësore për kompensim të dëmit

Kompania e sigurimeve “Kosova e Re” dhe paditësi Qëndrim Seferi, kanë arritur pajtim gjyqësor për kompensim dëmi, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas.

Në padi thuhet se më 29 nëntor 2015, në autostradën Prishtinë –Prizren, ka ndodhur aksident trafiku, ku dëme ka pësuar tani paditësi Seferi.

Sipas pajtimit gjyqësor që kanë arritur palët, kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, detyrohet që në emër të kompensimit të dëmit material dhe jo material për të gjitha format, paditësit Qëndrim Seferi, t’i paguajë shumën prej 600 euro, si dhe shpenzimet e procedurës në shumë të përgjithshme prej 259 euro.

Pajtimi gjyqësor është arritur, pas shprehjes së vullnetin nga ana e të autorizuarit të paditësit, avokatit Shaqir Behrami, dhe të autorizuarës së të paditurës, Nazlije Bejta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Daut Behrami, e ka miratuar pajtimin gjyqësor të arritur mes palëve ndërgjyqese, i cili ka formën e aktvendimit të plotfuqishëm dhe titullit ekzekutiv.Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 18 korrik 2016, paditësi Qëndrim Seferi, ka paditur kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”, për dëmshpërblim, nga e cila ka kërkuar 2.247.68 euro.

Në padi thuhet se më 29 nëntor 2015, rreth orës 16:20, në autostradën Prishtinë –Prizren, në kilometrin 51, është shkaktuar aksident komunikacioni, në të cilën lëndime trupore ka pësuar tani paditësi.

Sipas padisë, aksidenti është shkaktuar kur ngasësi i automjetit të udhëtareve “A”, me të arritur në kilometrin 51 të autostradës, merr veprim të ndërrimit të shiritit në mënyrë të pasigurt nga shiriti i majtë në të djathtë dhe e godet automjetin “B”, “Mercedes 220” të cilën e drejtonte paditësi, me ç`rast si pasojë e goditjes pëson lëndime trupore.

Gjithnjë, sipas padisë, automjeti i markës “Audi A4”, ishte i siguruar në kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”. /Betimipërdrejtësi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë