Mësuesi në Drenas pranon se ndërhyri në notat e djalit të tij dhe dhjetë nxënësve të tjerë

I akuzuari për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, Fehmi Ramaj, ka pranuar fajësinë në seancën e së mërkurës.

Këto dy vepra penale, ai po akuzohet se si mësues i nivelit të ulët shkollor, në Shkollën Fillore dhe e Mesme e Ulët “Shote Galica”, në fshatin Tërdec të Drenasit, ka ndërhyrë në ditarë ku në lëndën e Biologjisë, ka përmirësuar notat e 11 nxënësve, përfshirë edhe djalit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktit akuzues nga ana e prokurorit Shkëlzen Ibrahimi, i akuzuari Ramaj, ka deklaruar se e kupton akuzën dhe veprat penale për të cilat akuzohet.

Ai deklaroi se që nga dita e parë e ka pranuar fajësinë në organet e shkollës, para Drejtorisë Komunale të Arsimit, Inspektoratit të Arsimit, para hetuesisë, si dhe në media.

“Ka 6 vite që e kam pranu, edhe sot këtu e pranoj”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se është penduar që ditën e parë për këtë vepër penale.

I akuzuari deklaroi se gjykatës i propozon që në rastin e shqiptimit të dënimit të ketë parasysh si rrethana lehtësuese pranimin e fajësisë në tërësi, pendimi para gjykatës për veprat e kryera, premtimin se në të ardhmen nuk do të përsëris kryerje të veprave penale të llojit të tij apo çfarëdo qofshin ato.

Gjithashtu, deklaroi se është i pezulluar nga puna deri në një vendim të gjykatës, duke kërkuar që gjykata të ketë parasysh gjendjen e tij familjare, kontributin e tij familjar në arsim, si dhe realizimin e shumë projekteve.

“Gjykatës i propozoj që dënimin e paraparë me ligj të ma zbus nën minimumin ligjor, me çka konsideroj se do të arrihet qëllimi i dënimit që në te ardhmen mos te përsëris me vepra të tilla. Nuk kam pas për qëllim që të fitoj kurrfarë dobie, i kam kryer në afekt këto vepra penale. S’kam pas qëllim përfitimin përveç stimulimin dhe notimin e këtyre nxënësve që unë kam menduar qe është bërë me tendence nga arsimtari i Biologjisë”, ka deklaruar Ramaj.

Prokurori Ibrahimi, deklaroi se vlerëson se pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit është në përputhje të plotë me provat materiale dhe personale që gjenden ne shkresa të lëndës.

“Dhe si të tilla pranimin e fajësisë nga i pandehuri e bëjnë të ligjshëm. Propozojmë gjykatës të bëj pranimin e fajësisë për dy veprat penale qe i vihen në barrë”, ka deklaruar ai.

Më pas, gjykatësi Vesel Ismajli, ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit dhe ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 9 mars, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 dhjetor 2019, i akuzuari Ramaj më 30 maj 2014, rreth orës 16:00, në Shkollën Fillore e Mesme e Ulët “Shote Galica”, në fshatin Tërdec të Drenasit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, në cilësinë e personit zyrtar-mësues i nivelit të ulët shkollor, kujdestar i klasës së katërt, ka keqpërdorë detyrën e tij zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim që të përfitojnë dobi të tjerët, ashtu që ka tejkaluar kompetencat e tij, duke ndërhyrë në ditarin e klasës IX/1, ku sipas dëshirës së tij kishte përmirësuar notat ekzistuese të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2013/14, në lëndën e Biologjisë, pa dijeninë e arsimit të lëndës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte ndërhyrë në notat e 11 nxënësve, duke përfshirë edhe djalin e tij, e duke i përmirësuar notat e tyre, me çka ka ngritur notën mesatare të tyre për të gjitha lëndët mësimore kishte përmirësuar edhe sukseset e tyre të përgjithshme.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, ai akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij
zyrtare duke shënuar të dhëna të rreme në dokumentin zyrtar, ashtu që pasi kishte marrë ditarin e klasës së IX, në lëndën e Biologjisë i kishte notuar 11 nxënës të kësaj klase, me nota sipas dëshirës së tij, pa dijeni të arsimtarit të lëndës, tani dëshmitarit Hysen Halilaj.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar” ne bashkim real me veprën nga pika 1 e dispozitivit te aktakuzës. /Betimipërdrejtësi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë