Prokuroria propozon dënimin e ish-drejtorit të Arsimit në Drenas, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj, të shpallet fajtor për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të dënohet sipas ligjit.

(Për ta mbështetur DrenicaOnline, ju lutëm klikojeni reklamen poshtë?)

Një propozim të tillë e ka bërë prokurorja Dulina Hamiti, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka përfunduar gjykimi në këtë rast.

Ndërkaq, vet i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, kanë kërkuar nga gjykata që të shpallet aktgjykim lirues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tahiraj akuzohet lidhur me riparimin e kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, si dhe për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Hamiti ka deklaruar se konsideron se gjatë administrimit të provave dhe shqyrtimit gjyqësor, në mënyrë të plotë është vërtetuar se i akuzuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, ashtu siç është përshkruar në aktakuzë.

Ajo tha se është vërtetuar nga të gjitha provat, duke përmendur deklaratat e Riza e Isufi Hajdarit, që sipas saj, në mënyrë bindëse kanë përshkruar gjendjen faktike, që pa procedurë të prokurimit, i akuzuari ka dhënë urdhër për renovimin e kulmit të shkollës.

Sipas saj, është shkaktuar dëm i madh i cekur si në dispozitiv të aktakuzës ndaj Komunës së Drenasit.

“Dihet se për çdo projekt duhet të zhvillohen procedurat e prokurimit, e në këtë rast nuk janë respektuar procedurat e prokurimit”, ka thënë prokurorja Hamiti.

Edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Gentiana Morina ka deklaruar se e mbështesin fjalën përfundimtare dhe qëndrojnë prapa kërkesës pasurore- juridike.

Në anën tjetër, avokati Blerim Qela, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se lidhur me veprën penale që i vihet në barrë të akuzuarit, konsiderojnë se aktakuza nuk ka përmbajtur dyshimin e bazuar për të ngritur një akuzë të tillë.

Ai tha se në të gjitha fazat, i mbrojturi i tij ka mohuar se ka kryer këtë vepër penale dhe në shkresa të lëndës nuk ka asnjë provë të vetme për këtë.

Sipas tij, gjatë administrimit të provave janë dëgjuar disa dëshmitarë, ku kanë sqaruar në detaje çështjen për rinovimin e kulmit të shkollës fillore dhe ndërtimin e depos.

Ai tha se sa i përket renovimit të kulmit është vërtetuar se Tahiraj nuk ka përgjegjësi, pasi nuk ka nënshkruar asnjë dokument.

Sipas tij, nga dëshmitë e të gjithë dëshmitarëve, e në veçanti ajo e Mehmet Ramës është vërtetuar se Sadik Tahiraj në asnjë mënyrë nuk ka dëmtuar Komunë e Drenasit dhe sa i përket renovimit të kulmit nuk ka pasur kërkesë për renovim, pasi siç ka deklaruar ai, është bërë në mënyrë vullnetare nga banorët e fshatit, e pastaj është kërkuar inkasimi i mjeteve pas dy vjetësh.

Ai deklaroi se veprës penale i mungon dashja dhe pasoja, pasi asnjë pasojë nuk është shkaktuar me ndërtim të depos.

Avokati Qela ka thënë se organi i akuzës nuk ka arritur që ta paraqes asnjë provë, që do të argumentonte fajësinë e të mbrojturit të tij.

Kurse, i akuzuari Tahiraj tha se në këtë rast, Komuna e Drenasit nuk është dëmtuar dhe se ai nuk ka përfituar asgjë, por vetëm është dëmtuar sepse është pezulluar nga puna për më shumë se 18 muaj.

“Unë besoj shumë dhe e lus trupin gjykues që të merr një aktvendim të drejtë, lirues, sepse gjatë shqyrtimeve gjyqësor nuk është provuar me asnjë provë dhe dëshmi se unë e kam dëmtuar Komunën e Drenasit”, ka thënë ai.

Paraprakisht, para dhënies së fjalës përfundimtare nga palët në procedurë, në gjykatë është dëgjuar dëshmitari i ftuar nga gjykata sipas detyrës zyrtare, Mehmet Rama.

Dëshmitari Rama ka deklaruar se gjatë vitit 2015, ka punuar në cilësi të shefit të zyrës së prokurimit, në Komunën e Drenasit.

Ai deklaroi se detyrat e punës së tij kanë qenë që të udhëheq zyrën e prokurimit.

“Çdo kërkesë që ka ardh prej njësive kërkuese ose prej drejtorive, ato të cilat i kanë plotësuar kushtet ligjore, siç janë kërkesa, deklarata e nevojave, paramasa, kemi qenë të obliguar ta zhvillojmë procedurën e prokurimit, nga njoftimi për kontratë deri te nënshkrimi i kontratës”, deklaroi dëshmitari.

Anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi ka pyetur dëshmitarin se a i kujtohet gjatë vitit 2015, Drejtoria e Arsimit në Drenas ka kërkuar një depo, kurse dëshmitari konfirmoi këtë.

“Për ndërtimin e kësaj depo, a janë ndjek procedurat e prokurimit ashtu si i paraqite më parë”, ka pyetur gjykatësi Foniqi.

Ndërkaq, dëshmitari deklaroi se me sa i kujtohet kanë zhvilluar procedurë të prokurimit dhe kontrata është nënshkruar rreth vlerës 38 mijë euro, sikurse që ka pasur edhe një aneks kontratë, shuma e të cilës është dashur të sillet rreth 10%, e që është diku rreth 3800 euro.

Sipas tij, edhe kontrata edhe aneks kontrata janë lidhur sipas procedurave.

“Krejt, krejt, çdo sen është në rregull”, deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari deklaroi se kanë qenë tri oferta dhe të njëjtat janë hapur në komision dhe janë vlerësuar nga komisioni.

Gjykatësi Foniqi e ka pyetur se a ka marrë pjesë tani i akuzuari në këto procedura.

“Gjatë kësaj procedurës, drejtori i arsimit si autorizues ka bërë kërkesë të zhvillohet procedura e prokurimit. Paramasat, drejtoria e arsimit, nuk ka pas njerëz profesional, por i hartojnë dhe kompetent ka qenë Drejtoria për Urbanizëm dhe mbikëqyrjen edhe sipas ligjit e cakton menaxheri zyrtari kryesor administrativ që është kryetari i Komunës. Edhe zakonisht është caktu prej urbanizmit për arsye se drejtoria e arsimit nuk kanë pas inxhiniera”, ka thënë ai.

Edhe lidhur me renovimin e kulmit në shkollën “Rilindja”, gjykatësi Foniqi ka parashtruar pyetje për dëshmitarin.

Dëshmitari  ka thënë se ky rast ka ndodhur nga muaji tetor dhe se nuk ka qenë në rrjedha për këtë rast.

“A ke njohuri kush e ka kry këtë ndërhyrje në kulmin e shkollës”, ka pyetur dëshmitari, kurse e mohoi këtë dyshimtari.

Ai tha se më vonë është informuar se renovimin e kulmit e ka bërë një vendas aty, mirëpo tha se as sot nuk është në njohuri a ka pas urdhër për t’u kryer ato punime, as a ka pas raport.

Ndërkaq, anëtari tjetër i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli ka pyetur dëshmitarin se a i kujtohen emrat e dy operatorëve tjerë ekonomik që kanë marrë pjesë në ndërtimin e depos.

“Termocom”, “Donitem” dhe një tjetër ka qenë”, ka thënë dëshmitari.

Ndërkaq, prokurorja Dulina Hamiti tha se në këtë rast po flasin për furnizim me material ndërtimor, dhe ka pyetur se a është zhvilluar procedura e prokurimit.

Kurse, dëshmitari tha se nuk është në njohuri.

“A keni parë ndonjëherë memorandum mirëkuptimi për furnizim me material ndërtimor me firmën “Altrade”, ka pyetur prokurorja Hamiti, kurse dëshmitari tha se nuk ka njohuri.

Avokati Qela ka pyetur se për mënyrën e inkasimit të mjeteve të ndonjë fature përmes përmbaruesit privat.

“Prapësimi bëhet zakonisht përmes avokatit komunal ose zyrtarit ligjor.  Po e sqaroj për rastet në të cilat përmbaruesit mund ta realizojë atë faturë dhe kjo është e paraparë me ligj”, ka thënë dëshmitari.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast pritet të bëhet mĽ 5 mars, nga ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, Sadik Tahiraj në cilësinë e personit zyrtar, derisa ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij.

Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për organizatën e biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” SH.P.K.

Sipas aktakuzës, që nga fillimi deri në përfundim të projekteve kapitale, ndërtimi i depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas dhe renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, janë kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit.

Sipas aktit akuzues, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, që “ Al Trade” SH.P.K. e ka furnizuar gjatë vitit 2015 me material ndërtimor është kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit lidhur mes  të pandehurit dhe firmës së lartcekur.

Aktakuza thotë se renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc , ku “A&I Group SH.P.K i ka kryer punimet gjatë vitit 2016, është bërë pa u respektuar asnjë procedurë e prokurimit në marrëveshje gojore me të pandehurin.

Akti akuzues, thotë se me këtë rast është dëmtuar Komuna e Drenasit dhe është dashur të paguaj përmes përmbaruesit privat shumën prej 17.043.50 euro. Ndërsa, për projektin  për  ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, thuhet se është dashur të paguaj shumën prej 8.454.31 euro.

Ish-drejtori i Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, ka qenë i akuzuar edhe në një rast tjetër, me ç’rast me 21 shtator 2018, ai ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërsa, në rastin tjetër ku i bashkakuzuar kishte qenë edhe ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku, të dy të akuzuarit janë liruar nga akuza.

Në këtë rast, Tahiraj akuzohej se në vitin 2014 ka keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke mos respektuar procedurat e prokurimit publik lidhur me furnizimin me vaj (antifiriz) për ngrohjen qendrore të shkollës “Rilindja” në fshatin Dobroshec të Komunës së  Drenasit. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë