Komuna e Drenasit ndër më transparentet në Kosovë

KDI dhe OJQ AKTIV, sot kanë publikuar Indeksin e Transparencës për 38 komunat e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Vlerësimi është bërë në gjithsej 48 indikatorë, të cilët e kanë burimin në legjislacionin vendor dhe në praktikat më të mira të transparencës dhe llogaridhënies publike.

Komuna më transparente për vitin 2019, është vlerësuar ajo e Rahovecit me gjithsej 85 pikë nga 96 sa janë maksimale, ndërsa komuna më së paku transparente është vlerësuar komuna e Mitrovicës Veriore me 39 pikë.

Dhjetë komunat me nivelin më të kënaqshëm të transparencës janë: Rahoveci (85 pikë), Mitrovica e Jugut dhe Prishtina (83 pikë), Drenasi, Vitia dhe Malisheva (80 pikë), Suhareka, Gjakova, Peja dhe Vushtrria (78 pikë).

Pesë komunat me nivelin më të ulët të transparencës janë: Deçani (50 pikë), Zubin Potoku (46 pikë), Fushë Kosova (45 pikë), Juniku (44 pikë) dhe Mitrovica e Veriut (39 pikë).

Në hapje të ngjarjes, Drejtori Ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu tha se përveç matjes së transparencës në 38 komuna sikurse edhe në vitet e mëparshme, KDI ka punuar aktivisht në 11 komuna duke organizuar dhe ndërmjetësuar më shumë se 240 takime me komunitetin dhe përfaqësuesit e autoriteteve komunale për të gjetur zgjidhje për problemet dhe prioritetet lokale.

Caleb Ëaugh nga OjQ Aktiv, theksoi se është me rëndësi të nënvizohet roli i organizatave joqeveritare në monitorimin e institucioneve dhe ushtrimin e presionit pozitiv për të garantuar transparencë dhe qeverisje të mirë”.

Ndërkaq, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, u shpreh se “Transparenca është vlerë thelbësore e demokracisë. Një udhëheqës me integritet do të duhej t’u tregojë qytetarëve të vet se si po shpenzohen taksat e tyre dhe se a po mbahen premtimet e bëra në fushatë zgjedhore”.

Ndërsa, ministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Redzepi, u shpreh se “Përveç se parim, transparenca është detyrim kushtetues e ligjor i organeve të pushtetit, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror. Unë do të fokusohem në çështjen e zbatimit e ligjit për gjuhët, dhe shfrytëzimin e pronës publike”, theksoi ajo.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë