Dënohet me kusht i akuzuari për sulm ndaj inspektorit në Drenas

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me tre muaj burgim me kusht të akuzuarin për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, Sami Qorri.

Dënimi me kusht, nuk do të ekzekutohet, nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale brenda periudhës njëvjeçare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, i akuzuari është ngarkuar me paushallin gjyqësor në shumë prej 30 euro, si dhe 30 euro të tjera për taksën për kompensimin e viktimave të krimit, kurse pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi i rastit Shefqet Baleci, pasi i akuzuari në shqyrtimin gjyqësor e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Pranimin e fajësisë nuk e kundërshtuar prokurorja Fikrije Sylejmani, e cila ka propozuar që ky akt të merret si rrethanë lehtësuese me rastin e matjes së dënimit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13 shtator 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Sami Qorri, të cilin e ka ngarkuar me veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 410, paragrafi.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 5 prill 2019, rreth orës 10:40, në Drenas,  në rrugën “Adem Mulaj”, derisa i dëmtuari Fitim Veliqi, së bashku me dy inspektore tjera komunale, ishin duke e kryer detyrën zyrtare si inspektorë komunalë të ndërtimit për verifikimin e respektimit të urdhrit për ndërprerjen e punimeve  në objektin që ishte aneks i lokalit “Exlips Bar”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri del nga lokali “Exlips Bar”, ku me dashje e sulmon të dëmtuarin në atë mënyrë që fillimisht i drejtohet me fjalët kërcënuese me tone të lartë “zhdukmu nga këtu, ti nuk guxon asnjëherë me ardh në këtë vend dhe as në një vend tjetër ku jam unë aty”.

Gjithmonë siç pretendohet në aktakuzë, i pandehuri Qorri i vërsulet duke iu afruar, ashtu që e godet me grusht në pjesën e gojës dhe fytyrës, pastaj ia shtrëngon pjesën e mjekrës edhe për disa momente e shtynë prapa, duke ia cenuar integritetin trupor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.  /Betimipërdrejtësi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë