Sqarim nga Policia për rastin e rrahjes së një nxënësi nga një profesor në Drenas

Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, ofron sqarim rreth shkrimit të mbrëmshëm të publikuar në portalin Koha.net me titull: ‘Policia interviston për 4 orë një 13-vjeçar me dyshimin se xhiroi mësuesin tek e rrihte një nxënës’.

PK-ja sqaron me sa vijon: referuar raporteve zyrtare, me 24.02.2020, policia pasi ka pranuar informatën për një rast, ku një mësimdhënës rrah një nxënës në një klasë mësimi, ka iniciuar rastin ‘sulm’. Policia ka intervistuar viktimën (nxënës) në prezencë të prindit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale dhe të dyshuarin (mësimdhënës). Vlen të ceket se as viktima, as i dyshuari nuk e kanë pranuar se ka ndodhur rasti. Policia për rastin dhe ecurinë ka njoftuar prokurorin. Prokurori ka autorizuar policinë që të vazhdojë ta hetojë rastin.

Me 25.02.2020 policia në vazhdën e hetimit dhe kompletimit të rastit ka ftuar si dëshmitarë dy nxënës të klasës, ku dyshohet se është kryer vepra. Që të dy nxënësit kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre, ku për shkak të moshës së dëshmitareve është ftuar edhe punëtori nga QPS-ja. Po ashtu është thirrur edhe viktima i cili ka qenë i shoqëruar nga prindi. Policia nga njëri dëshmitar ka marrë deklaratë, kurse dy të mitur (njëri në cilësi të viktimës, tjetri të dëshmitarit), nën moshën 14 vjeçare, janë dëgjuar nga punëtori i QPS-së dhe ai ka përpiluar procesverbal pas dëgjimit të tyre. Pra, të gjitha veprimet janë ndërmarrë komfor rregulloreve të trajtimit të rasteve kur kemi të bëjmë me të mitur, duke pasur parasysh në çdo moment sjellje miqësore ndaj të miturve, të cilët në këtë rast asnjëri nuk ka qenë në cilësi të të dyshuarit. Koha e qëndrimit në stacion policor ka qenë më pak se dy orë (hyrja në stacion policor 17:38h dhe dalja në orën 19:21h, bazuar në incizimet e kamerave), për arsye të procedurave të inkuadrimit edhe të punëtorit të QPS-së, por qëndrimi nuk ka zgjatur assesi katër orë siç pretendohet në shkrim.

Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin. Pas, dëgjimit të dëshmitarëve dhe ridëgjimit të viktimës, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës inkurajon gazetarët që para publikimit të informacioneve t’i drejtohen policisë për sqarimin e informacioneve dhe marrjen e informatave të sakta, në mënyrë që të ketë informim të drejtë të opinionit publik.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë