Intervistimi i nxënësve në polici, Komuna e Drenasit del me sqarim

Komuna e Drenasit, për hir të korrektësisë dhe transparencës së vazhdueshme që ka treguar dhe vazhdon të tregoj me media dhe opinionin, ndjen për obligim që të sqaroj të vërtetën lidhur me veprimet e Komunës së Drenasit dhe Qendrës për Punë Sociale, që janë përmendur në shkrimin në “Koha.net” lidhur me intervistimin e të miturve, me datë 25.2.2020.

Komuna e Drenasit, njofton mediat dhe qytetarët, që intervistimi i të miturve, është realizuar konform legjislacionin në fuqi dhe rregulloreve që trajtojnë rastet e tilla me të mitur.

Qendra për Punë Sociale, që vepron në kuadër të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka informuar Drejtorinë përkatëse për gjithë procesin se si ka shkuar intervistimi i të miturve që është zhvilluar në Stacionin Policor në Drenas, në prani të prindërve të miturve, dhe zyrtarit të shërbimeve sociale.

Sipas raportit të Qendrës për Punë Sociale, shihet që intervistimi i të miturve në asnjë rast të vetëm nuk ka zgjatur me shumë se 40-45 minuta, që është konform rregullores për intervistimin e të miturve, si dhe në praninë e prindërve.

Po ashtu, Qendra për Punë Sociale, sipas detyrës zyrtare dhe kompetencave që i takojnë, gjatë ditës së sotme ka vizituar familjet dhe të miturit e intervistuar dje, në vazhdën e trajtimit të rastit.

Si rrjedhojë e kësaj, Komuna e Drenasit, njofton qytetarët dhe mediat, se intervistimi i të miturve është kryer brenda kornizave ligjore dhe jo siç është tentuar të paraqitet në media.

Gjithashtu, shkrimi në “Koha.net” që i referohet largimit nga puna të nënës së nxënësit të intervistuar, ju informojmë se që nga marrja e mandatit nga kryetari Ramiz Ladrovci, askush nuk është larguar nga puna, përveç rasteve të përfundimit të kontratave të të punësuarve në kundërshtim me procedurat e rekrutimit.

Shkrimi në median në fjalë, është tendencioz dhe nuk i kontribuon të vërtetës, pasi për këtë shkrim nuk është kontaktuar Komuna e Drenasit, as Qendra për Punë Sociale e as Kryetari Lladrovci.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë