Lladrovci kërkon të merren masa ndaj arsimtarit që rrahu nxënësin në Drenas

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar ndaj sjelljes së profesorit Driton Qelaj, në orën e mësimit, ku shihet duke e rrahur një nxënës.

Reagimi:

Me shqetësim kam marrë njoftimin rreth sjelljes së profesorit Driton Qelaj në orën e mësimit. Me keqardhje mësova se rasti paska ndodhur më 18 shkurt të këtij viti.

Sot, posa jam vënë në dijeni për rastin, kam kërkuar nga Drejtoria e Arsimit, të marrë masat ligjore si dhe kam njoftuar organet e rendit dhe Qendrën për Punë Sociale, për veprime konform ligjit, rreth rastit.

Sjelljet e asnjë arsimtari apo zyrtari në komunën tonë të cilat bien ndesh me ligjin, nuk lejohen as sot, as do të lejohen në të ardhmen.

Andaj, pres nga Drejtoria e Arsimit dhe organet e rendit për vendimin e tyre për hapat e mëtejmë.

Mbetem fort i përkushtuar për respektim të ligjit, aq më parë ndaj personelit arsimor, i cili ka dëshmuar përkushtim të madh në procesin edukativ e arsimor. Gjithsesi, kontributi i arsimtarëve është i jashtëzakonshëm, në të gjitha fushat dhe për këtë jam falënderues.

Janë për keqardhje interpretimet e disa personave keqdashës të cilët e kanë ndërlidhur aktivitetin partiak me atë profesional. Kjo ndërlidhje nuk ekziston as nuk mund të ekzistoj ngase, cilido që anëtarësohet në PDK, nuk amnistohet nga sjelljet e paligjshme.

Edhe më parë, sjelljet të cilat i kam konsideruar të pahijshme të personelit arsimor, i kam denoncuar pa asnjë paragjykim apo dallim. Por, përkundër denoncimit tim, ata janë kthyer në procesin mësimor, duke arritur të gjejnë rrugën e pajtimit me prindërit e nxënësve dhe ndaj tyre ka pushuar procedura ligjore, pa dashjen time.

Unë, nuk mund të amnistoj askënd që bie ndesh me ligjin, pavarësisht bindjes politike, andaj mirëpres vendimet e organeve gjegjëse rreth rastit, për veprim të mëtejmë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë