Ish-drejtori i Arsimit në Drenas thotë se s’është dëmtuar komuna në rastet e investimeve në dy shkolla

Ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ka dhënë mbrojtjen e tij në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Tahiraj duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Blerim Qelaj në lidhje me aktakuzën që ka të bëjë me riparimin e kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, ka thënë se kur kishte dalë në vendin e ngjarjes në këtë shkollë, ai e kishte njoftuar komisionin e urgjencave në nivel të Komunës së Drenasit.

Por, sipas tij, pas dy-tre ditësh drejtori i kësaj shkolle e kishte njoftuar se disa bashkëfshatarë kishin shprehur vullnetin që të riparojnë kulmin e kësaj shkolle, por tha se i kishte thënë se rasti ishte urgjent dhe se nuk ishte përgjegjësi e tij që të menaxhonte, për të cilën tha se nuk e kishte nënshkruar asnjë dokument.

Ai tha së vetëm kur kishte dhënë deklaratë në polici e kishte kuptuar se kompania “A&I Group” ishte kompensuar për ndërtimin e kulmit të kësaj shkolle dhe se atë ditë e kishte kuptuar edhe se mjetet ishin inkasuar përmes përmbaruesit privat.

Në pyetjen e avokatit të tij se a ishte dashur që kjo faturë të paguhet nga Komuna e Drenasit, i akuzuari ka thënë se nuk ishte dashur, por sipas tij, duhej të bëhej prapësimi e jo të lejohej që me dashje të bëhet kjo pagesë.

“Pasi e kam shikuar në tërësi faturën dhe situacionin e kam parë se nuk e ka pranuar askush dhe kjo është dëshmi e mjaftueshme që të bëhet prapësimi i këtij urdhri për pagesë. Në bazë të dëshmive të lëndës kjo faturë është dorëzuar pas dy viteve, sipas ligjit as ekzekutuesi nuk ka pasur të drejtë ta ekzekutojë këtë lëndë, por në këtë rast edhe komuna është treguar neglizhente, duke mos e bërë kundërshtimin, por duke lejuar që të bëhet me dashje kjo pagesë”, ka thënë Tahiraj.

Ndërsa, në lidhje me projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, i akuzuari ka thënë se këtë rast e kishte menaxhuar Komuna e Drenasit-Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikim Hapësinor.

Ai tha se Drejtoria e Urbanizmit kishte bërë projektimin për instalimin e ngrohjes qendrore, por sipas tij, nuk e kishin planifikuar siç duhet vendosjen e kaldajave, duke menduar që të vendosen në podrum të shkollës, në të cilin tha se kishte qenë e pamundur të vendosen për shkak të hapësirës dhe ujit.

Për këtë arsye ai tha se organi mbikëqyrës i këtij projekti bashkë me menaxherin e kontratës kishin planifikuar që të ndërtohej një aneks depo, ku në atë rast do të vendoseshin dy kaldajat e ngrohjes qendrore.

“Organi mbikëqyrës bashke me menaxherin e kontratës Bekim Berisha kishin caktuar parallogaritë për këtë aneks kontratë. Unë nuk isha informuar se si është e mundur që të kryhen procedurat e prokurimit për një depo e mos të përfshihet fare materiali ndërtimore”, ka thënë Tahiraj.

Sipas tij, vlera e aneks kontratës kishte qenë 3,796 euro dhe se kjo shumë sipas tij, ishte vendosur duke u bazuar në vlerën e 10% të kontratës totale, duke mos tejkaluar vlerën e përgjithshme.

Por, tha se kjo vlerë sipas komisionit nuk kishte mjaftuar për të përfunduar depon dhe se kjo vlerë ishte dedikuar vetëm për punët e mjeshtërisë, ndërsa për material ndërtimor anëtarët e komisionit tha se kishin biseduar me disa ndërmarrje për ta siguruar materialin ndërtimor dhe se kishin zgjedhur kompaninë “Al Trade”, e cila kishte qenë më e lira.

Ai tha se vlera e kësaj fature kishte qenë mbi tetë mijë euro.

“Kam qenë i stresuar sepse në këtë shkollë kishte filluar mësimi me vonesë më shumë se një muaj për shkak të punimit në atë shkollë dhe ishim prapë të rrezikuar të ndërpritet mësimi për shkak të mos planifikimi si duhet nga Drejtoria përkatëse për vendosen e dy kaldajave për arsye se ishim në kohën kur obligohemi ligjërisht nga 15 tetori të kemi nxehje qendrore”, tha ai.

Ai tha se Komuna e Drenasit në këtë rast nuk ishte dëmtuar për shkak se kjo depo sipas tij ishte mbikëqyrur nga organi mbikëqyrës dhe ishte bërë edhe pranimi teknik i kësaj depoje, ndërsa tha se nuk ishte në njohuri se a ishin zhvilluar procedura të prokurimit për rinovimin e kulmit të shkollës.

Ai tha se nuk kishte vendosur në asnjërin rast të rinovimit të këtyre shkollave dhe as për aneks kontratën për depon e ngrohjes qendrore.

“Kryetari i komunës dhe drejtoret përkatës në mbledhje të bordit, më kanë urdhëruar gojarisht që duhet të bëhet një zgjidhje pasi që komisioni paska gjetur mirëkuptim me Al Traden dhe për të dalë nga kjo situatë ju duhet të bëni një zgjidhje që të mos ndërpritet mësimi në këtë shkollë edhe një herë”, ka thënë Tahiraj.

Vendimi për të kryer punimet në shkollën në Drenas tha se e kishte marrë kryetari me bordin e drejtorëve, pasi sipas tij, pa pëlqimin e tyre ai nuk do të kishte ndërhyrë.

“Unë besoj dhe me sinqeritetin më të plotë se asnjëherë qoftë si drejtor apo si zyrtar nuk kam bërë shkelje ligjore për të dëmtuar komunën apo ndonjë person fizik, por çdoherë kam qenë në nivel të detyrës dhe obligimeve që i kam pasur si drejtor i arsimit. Unë mendoj së në këtë rast Komuna nuk është dëmtuar, përkundrazi ka përfituar pasi nuk ka pas ndërprerje të procesit mësimor në këto dy shkolla dhe dëme tjera që kanë mujt me qenë më tragjike në faktorin njëri”, ka thënë në fund i akuzuari Sadikaj.

Ndryshe, në këtë seancë pas dhënies së mbrojtës nga ana e të akuzuarit Sadikaj, prokurorja Dulina Hamiti ia ka rikujtuar trupit gjykues të udhëhequr nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica që para dhënies së mbrojtës ishte dashur të bëhet administrimi i provave.

Mirëpo, gjykatësja Krasniqi-Jashanica ka thënë se kjo nuk ishte pengesë proceduralë, për këtë arsye ajo konstatoi si të administruara të gjitha provat e propozuara në aktakuzë.

Seanca e radhës ku pritet të jepet fjala përfundimtare është caktuar për 2 mars 2020, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, Sadik Tahiraj në cilësinë e personit zyrtar, derisa ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij.

Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për organizatën e biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” SH.P.K.

Sipas aktakuzës, që nga fillimi deri në përfundim të projekteve kapitale, ndërtimi i depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas dhe renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, janë kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit.

Sipas aktit akuzues, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, që “ Al Trade” SH.P.K. e ka furnizuar gjatë vitit 2015 me material ndërtimor është kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit lidhur mes  të pandehurit dhe firmës së lartcekur.

Aktakuza thotë se renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc , ku “A&I Group SH.P.K i ka kryer punimet gjatë vitit 2016, është bërë pa u respektuar asnjë procedurë e prokurimit në marrëveshje gojore me të pandehurin.

Akti akuzues, thotë se me këtë rast është dëmtuar Komuna e Drenasit dhe është dashur të paguaj përmes përmbaruesit privat shumën prej 17.043.50 euro. Ndërsa, për projektin  për  ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, thuhet se është dashur të paguaj shumën prej 8.454.31 euro.

Ish-drejtori i Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, ka qenë i akuzuar edhe në një rast tjetër, me ç’rast me 21 shtator 2018, ai ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërsa, në rastin tjetër ku i bashkakuzuar kishte qenë edhe ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku, të dy të akuzuarit janë liruar nga akuza.

Në këtë rast, Tahiraj akuzohej se në vitin 2014 ka keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke mos respektuar procedurat e prokurimit publik lidhur me furnizimin me vaj (antifiriz) për ngrohjen qendrore të shkollës “Rilindja” në fshatin Dobroshec të Komunës së  Drenasit. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë