Shpallja e Kosovës shtet, fjalimi emocionues i Jakup Krasniqit

Fjala e ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në Seancën solemne të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.

SOT KOSOVA PO E HAPË EPOKËN E PAVARËSISË

Sot Kosova po e hap një faqe të re të historisë së saj dhe po e ndërron hartën politike të Evropës. Duke i lënë pas kujtimet e hidhura të urrejtjes e të konflikteve tragjike. Ne po hymë në epokën e pavarësisë, të paqes e të prosperitetit të vendit tonë.

Paqe dhe liri të vërtetë mund të ketë vetëm midis të barabartëve. Kosova e pavarur, sovrane e demokratike do të jetë atdhe i qytetarëve të barabartë e të lumtur, duke u ngritur mbi themelet e vlerave më të mira të traditës së saj dhe sipas parimeve të demokracisë moderne.

Brezi i sotëm i Kosovës ka privilegj të veçantë për kthesën e madhe historike, që i bënë nder, por bashkë me ta ka edhe përgjegjësinë e lartë të ndërtimit demokratik e evropian të atdheut të vetë dhe të brezave që do ta trashëgojnë.

Zotimi ynë për Kosovën shtet demokratik, është kontrate me qytetarët e saj dhe partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare, është premtimi i përkushtimit tonë jetësor për vlerat më të përparuara e themelore të shoqërisë së sotme njerëzore.

Kosova asnjëherë në jetën e saj nuk ka pasur miq sa ka sot, por nesër do të ketë edhe më shumë. Kultura dhe rendi demokratik, shteti ligjor, përkushtimi paqe krijues, fqinjësia e mirë dhe fryma e dialogut, respektimi i besimit, do të jetë baza e zgjerimit të miqësisë dhe bashkëpunimit e partneritetit.

Shfrytëzoj ketë akt solemn, të shpreh ndjenjën e përuljes së popullit të Kosovës ndaj gjithë atyre që u flijuan në altarin e lirisë së Kosovës. Me respekt të veçantë përshëndes të gjithë miqtë tanë, që me përkushtim ndihmuan Kosovën në momentet më vendimtare dhe historike. Populli shqiptar dhe qytetarët e Kosovës do t’ju jenë mirënjohës përjetë.

Në ketë ditë të shënuar, ndihem i nderuar të përshëndes përfaqësuesin e familjes së madhe Jashari, zotin Rifat Jashari. Familja Jashari është përfaqësuese e gjithë flijimeve për liri të popullit shqiptar, është institucioni më shumë se moral që e ka dhe do ta ketë Kosova.

Të gjithë juve që jeni në ketë Ditë të Madhe për kombin shqiptar, në ketë ngjarje të madhe historike dhe të gjithë ata që na shikojnë përmes ekraneve televizivë si edhe ata që manifestojnë në rrugët e Prishtinës, e kam kënaqësinë që t’i përshëndes në emër të Kuvendit të Kosovës dhe në emrin tim, Ju them mirseerdhet në ketë seancë solemne, në Seancën që do të Shpallë Pavarësinë e Kosovës!

P. S.

Pas leximit të deklaratës së Pavarësisë nga Kryeministri i Kosovës, zoti Thaçi, Deklaratën e qita në votim dhe për te votuan të gjithë deputetët e Kuvendit (109 nga 120 sa ishin). Tani ishte radha e konstatimit të rezultatit të cilin ia kumtova gjithë të pranishmeve, popullit të Kosovës, shqiptarëve kudo ishin, se Sot më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës, të zgjedhurit e popullit, deputetët prezent pa përjashtim votuan: Për Republikën e Kosovës, Shtet të Pavarur, Sovran dhe Demokratik. Votat e deputetëve të Kosovës qenë ato që i dhanë udhën e njohjeve Pavarësisë sonë!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë