Sfidat e krijimit të Qeverisë së re të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike dështuan gjatë kësaj jave të gjejnë një zgjidhje për formimin e qeverisë së re ndërsa janë shënuar edhe më shumë se tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare

As këtë javë dy subjektet politike, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk arritën të gjejnë një zgjidhje për të formuar qeverinë e re të vendit.

Të dy subjektet për tri ditë me radhë u përfshinë në negociata për të përafruar qëndrimet për një marrëveshje për koalicion qeverisës, por pa sukses.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha pas takimit të fundit që në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje i ka paraqitur Lëvizjes Vetëvendosje ofertën për bashkëqeverisje, por pa dhënë asnjë hollësi rreth kësaj oferte.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje tha se bisedimet janë bërë më të dendura dhe se tash ka edhe mundësi më të reja në tryezë. Që nga këto deklarata, të dyja subjektet nuk kanë mbajtur më takime.

Bisedimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës rifilluan pas një pushimi të gjatë që pasoi mbledhjen e parë të parlamentit që u mbajt më 26 dhjetor, ku në krye të kuvendit u zgjodh Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ndonëse përgjatë negociatave që nga zgjedhjet e 6 tetorit është thënë se ky post i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë