Feronikeli s’lejon humbje nga TNS, mjaftojnë katër minuta për të barazuar shifrat

Feronikeli ka dhuruar emocione të reja për tifozët anë e kënd Kosovës, duke arritur ta barazojë rezultatin në minutat e fundit, ndaj kampionit të Wales, The New Saints.

Ndeshja e zhvilluar në kuadër të rundit të parë të kualifikimeve për UEFA Champions League, përfundoi baras, 2-2.

Takim i baraspeshuar u zhvillua në “Park Hall” të Oswestryt, duke mos pasur ngecje në kualitet, nga asnjëra prej skuadrave.

Sidoqoftë, një moment pakujdesie, i kushtoi Feronikelit në minutën e 49-të, kur gjyqtari, Farrugia, akordoi penalti pas një ndëryrje të paqëllimtë të kapitenit, Lladrovci.

Draper shënoi nga pika e bardhë, për epërsinë e TNS, 1-0.

Në pjesën e dytë, u zhvillua një tjetër lojë, me Feronikelin që tentonte më shumë dhe ishte më kërkues.

Zeka pati një rast tejet të mirë në minutën e 58-të, por gjuajtjen e tij e priti portieri vendas.

Në minutën e 68-të, trajneri Zekirija Ramadani, vendosi për zëvendësim të dyfishtë, duke inkuadruar në lojë Topallin dhe Malajn, për ti dhënë edhe më shumë freski lojës.

Por, në minutën e 77-të, një dalje e pakujdesshme nga Troshupa, i kushtoi me gol mysafirëve, kur shënoi Edwards.

Më pas filluan emocionet për Feronikelin.

Skuadra nuk u mbraps, përkundrazi gjeti forcën që të rikthehet në lojë.

Së pari Zeka, shënoi në minutën e 89-të, për të ngushtuar epërsinë e TNS, në 2-1, nga një goditje me kokë.

Kurse në minutën e 93-të, gjyqtari akordoi sërish penalti, këasj radhe në favorin e futbollistëve tanë.

Nga pika e bardhë u tregua akull i ftohtë Fazliu, duke dëshmuar përvojën që ka mbi supe, për të realizuar për 2-2.

Ky rezultat është tejet i mirë, për ndeshjen e dytë, që zhvillohet të martën tjetër në “Fadil Vokrri”, të Prishtinës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë