Drenasi gati për “Muajin e Mërgatës”

“Muaji i Mërgatës” është festival që organizohet tash e tri vite, në qendër të qytetit të Drenasit, në Sheshin “Fehmi Lladrovci”.

Ky festival i dedikohet mërgatës tonë dhe organizohet prej datës 15 Korrik deri më 15 Gusht. Suksesi i këtij festivali në rritje, mund të shihet lehtësisht me pjesëmarrjen masive të vitit të kaluar, ku brenda 30 ditëve është vizituar nga 150 mijë qytetarë kryesisht nga Drenasi dhe mërgata e Drenicës por edhe vizitorë nga qytetet tjera (deri 5 mijë persona brenda një nate të vetme).

Loading...

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se Festivali është i natyrës jo fitimprurëse dhe i kushtohet promovimit të kulturës, nëpërmjet muzikës, lojërave, eventeve të ndryshme me tematika unike, artit apo aktiviteteve të ndryshme zbavitëse për fëmijë dhe të rritur.

Ndër ato kryesore janë:
Koncertet me këngëtar të suksesshëm në skenën shqiptare si Ledri Vula, Stresi, Mërgim Mjeku, etj.

Dita e Lulëkuqeve (për fëmijë) – arti, lojërat me ujë dhe ato board games, ngjyra, piktura, kuize etj.

Nata e Plisit – që synon shkrirjen e plisit tradicional si pjesë e muzikës moderne elektronike ku parashihet që plisat të ngjyrosen apo pikturohen për tu personalizuar duke krijuar një atmosferë të veçantë brenda festivalit nën tingujt e muzikës elektronike.

Color Day – ngjyrosja me dy ngjyra – kuq dhe zi, për shkak të ndjenjës së fuqishme patriotike që karakterizon rajonin e Drenicës dhe mërgatën shqiptare. Me këtë synohet krijimi i një atmosfere të bukur festive në një ditë të nxehtë vere.

Stand Up Comedy Night – në skenë do të përformojnë komedian të ndryshëm të njohur shqiptar.

Kinemaja Verore, dhe shumë evente të tjera që synojnë promovimin e sa më shumë aspekteve të kulturës dhe ndërveprimit të komunitetit.

Lladrovci thotë se Festivali “Muaji i Mërgatës” ka për qëllim krijimin e një atmosfere më familjare me një audiencë dhe publik të gjerë që do të sillte një frymë pozitive dhe do të kontribuonte në pasurimin e jetës së komunitetit në të gjithë Kosovën dhe Diasporën e saj.

Më shumë