Vonesa e Kosovës në zbatimin e MSA-së

Kosova ka mbetur prapa në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), duke përmbushur vetëm pesë nga 22 prioritetet e Agjendës Evropiane, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas tyre, janë shumë masa, të cilat është dashur tashmë të zbatohen, por që vazhdojnë të jenë në proces.

MSA-ja është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016. Përmes kësaj marrëveshjeje, Bashkimi Evropian kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij qeverisës dhe të shoqërisë civile t’i përmbushin standardet e BE-së.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë se Kosova nuk ka arritur t’i bëjë reformat në shumicën e fushave që kërkohen me këtë marrëveshje.

“Janë së paku tre indikatorë në bazë, të së cilave mund të themi që Kosova nuk po arrin të zbatojë obligimet e saj që burojnë nga MSA-ja. Bashkimi Evropian dhe institucionet e Kosovës lansuan një agjendë ambicioze për reformën evropiane që buron nga MSA-ja dhe në këtë agjendë u identifikuan 22 prioritete, të cilat është dashur të përmbushen brenda një viti dhe nëse e shikojmë këtë indikator dhe pyesim se sa ka arritur Kosova t’i përmbushë këto prioritete, shohim që përkundër asaj që kanë kaluar jo një, por tre vjet, Kosova ka arritur të përmbushë vetëm pesë nga 22 prioritetet”, thotë Shasha.

MSA-ja e obligon Kosovën që të bëjë reforma në sektorin e sundimit të ligjit siç është pavarësia e Gjyqësorit dhe luftimi i korrupsionit, reforma në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe në shumë fusha të tjera.

Performanca e Kosovës në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar si kapitulli më i rëndësishëm i MSA-së, thekson Shasha, që nga momentit kur është vendosur ky kriter, ka dëshmuar se nuk është përmbushur, pasi që deri më tani asnjë rast, sipas tij, nuk është përfunduar me vendim të prerë në gjykatë.

“Rrjedhimisht, nëse e marrim edhe këtë indikator, pra mungesën e rezultateve në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë, mund të themi se Kosova nuk i ka përmbushur detyrat që dalin nga MSA-ja. Po ashtu, për shkak të mungesës së reformave në administratën publike që kërkohet nga MSA-ja, Kosova ka filluar t’i humbë edhe fondet nga BE-ja”, thekson Shasha.

Sipas tij, moszbatimi i reformave që dalin nga MSA-ja pengon edhe rrugën integruese të Kosovës në BE.

Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka kërkuar nga ministritë kompetente seriozitet në zbatimin e MSA-së.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë se janë në proces të përmbushjes së obligimeve dhe detyrave që dalin nga marrëveshja e vetme kontraktuale me BE-në

“Caku për vitin 2019 për zbatimin e Planit Kombëtar të MSA-së është 70 për qind dhe ne duhet të arrijmë minimumin në mënyrë që përkrahja buxhetore të vazhdojë. Ne kemi plan që të tejkalojmë edhe këtë vit. Reformat që neve na nevojiten, duhet të përshpejtohen pasi që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe ne duhet t’i bëjmë këto reforma pasi që kanë nevojë qytetarët tanë dhe jo vetëm pse janë domosdoshmërisht pjesë përbërëse e procesit të integrimit evropian”, thotë Hoxha.

Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si një dokument kryesor nacional i politikave për aderim në BE, është ai që vendos një kornizë gjithëpërfshirëse afatmesme të të gjitha reformave të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga MSA-ja.

Bazuar në këtë program, shkalla e zbatimit të detyrave dhe obligimeve gjatë vitit 2018, ishte 68.23 për qind, pasi që 363 nga 532 masa të planifikuara janë zbatuar, ndërsa pjesa tjetër prej 169 masave, apo 31.77 për qind e tyre, nuk kanë arritur të zbatohen.

Në tre mujorin e parë të këtij viti, Programit kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit tregon se 30 për qind e masave janë zbatuar plotësisht, ndërsa 70 për qind nuk janë zbatuar dhe përballen me vonesa serioze. /Rel

Më shumë