Sukseset, krenaria dhe lajmet e mira vazhdojnë të vijnë në adresë të Feronikelit

Federata e Futbollit të Kosovës, ka njoftuar sot se UEFA, ka bërë licencimin e Feronikelit, për garat e edicionit 2019/2020.

Feronikeli ka arritur që të përmbushë të gjitha kriteret e UEFA-s për licencim, në një proces që ka zgjatur më shumë se 3 muaj, duke filluar më 1 shkurt të këtij viti.

Me këtë rast, për faqen zyrtare të klubit, ka folur menaxheri i klubit, Avni Zogu , duke e cilësuar si të arritur të jashtëzakonshme licencimin e klubit nga UEFA.

“Nga sot, klubi Feronikeli, edhe zyrtarisht do të jetë një klub që operon dhe funksionon mbi bazën e kritereve dhe standarteve të UEFA-s. Një falënderim i veçantë shkon për stafin e klubit, për angazhimin e jashtëzakonshëm në procesin e licencimit. Mbi të gjitha, falënderim i special shkon për presidentin e klubit, z. Naser Ramaj, për përkrahjen e tij të pa-rezervë, si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë menaxherial, gjë që ka bërë që Feronikeli të licencohet sot nga shtëpia më e madhe e futbollit në Evropë”, tha Avni Zogu

Për licencimin e klubit nga UEFA, ka folur edhe zyrtari për media i Feronikelit, Erlind Krasniqi, i cili gjithashtu falënderoi stafin për punën e madhe që tha se kanë bërë në këtë drejtim.

“Padyshim që është një ditë e madhe për Feronikelin, pasi që licencimi nga UEFA ka kërkuar një angazhim të jashtëzakonshëm, për të cilin nuk janë kursyer në asnjë moment i gjithë stafi i klubit. Meritë të jashtëzakonshme për sukseset e klubit ka presidenti, Ramaj, i cili ka qëndruar gjithnjë mbrapa klubit, duke plotësuar secilën nevojë dhe kërkesë brenda klubit të Feronikelit. Licencimi nga UEFA është lajm fantastik dhe shpresojmë të jetë shtysë dhe motiv për suksese të tjera”, tha Krasniqi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë