Lladrovci pjesëtareve të Batalionit “Atlantiku”: Ku është Amerika, është liria!

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot ka pritur në takim, pjesëtarët e Batalionit “Atlantiku”, me ç’rast ka theksuar se “ku është Amerika, është liria”, ndërsa e ka mbaruar fjalimin e tij me mesazhin, “Ku është liria, është Amerika”.

Të pranishëm nga Batalioni “Atlantiku”, ishin Gani Shehu – komandant i ish-Batalionit Atlantiku dhe kryetar i Shoqatës Batalioni i Atlantikut, Mark Gjonaj – anëtar i parë shqiptar i zgjedhur në Këshillin Bashkiak të qytetit të Nju Jorkut, Bruno Selimaj, mbështetës financiar i luftës së UÇK-së dhe Batalionit Atlantiku, Gjeneral Skënder Doçi si dhe Këshilltarët e dy presidentëve, Thaçi dhe Meta, Ismail Syla dhe Flamur Gashi.

Në fjalën e tij, Z. Lladrovci ka theksuar se rezistenca jonë, ka filluar që ditën e okupimit nga Mbretëria jugosllave, rezistenca jonë ka vazhduar gjatë reformës agrare kur na merreshin tokat dhe dëboheshim për Turqi, ne kemi vijuar t’i rezistojmë edhe komunizmit dhe spastrimeve gjenocidale të komunizmit jugosllav. Kemi bërë rezistencë kur bota komuniste ka heshtur, me rezistencën e parë antikomuniste në Evropë, me Shaban Polluzhën, për të vijuar deri në vitet e ’80-ta dhe ‘90-ta.

Ai foli rreth suksesit të UÇK-së, “sepse, ne patëm udhëheqës të sakrificës, me urdhrin: Ejani pas meje, siç ishte Komandanti ynë legjendar, Adem Jashari”, për të shtuar se “ne jemi popull me fat, se në mesin tonë u rritën djemtë e vajzat që nuk pyetën për forcën ushtarake serbe as supremacinë diplomatike serbe”.

Po ashtu hyri në historinë e marrëdhënieve ShBA-Kosovë, deri në ditët e sotme, duke theksuar se jemi të bekuar me miqësinë e Amerikës, miqësi të cilës i kontribuuan edhe shqiptarët që jetojnë në Amerikë.

“Jam krenar sot, të flas para jush, sepse, as ata nuk do të na ndihmonin, nëse Ju, djem e vajza të lindur e rritur në Amerikë, shembull përkushtimi me ndihma financiare dhe ushtar të devotshëm, nuk do të ishit rreshtuar krahas nesh dhe idealeve tona për liri. Ju, ushtar dhe udhëheqës të Batalionit “Atlantiku”, jeni zemra dhe krenaria jonë në Amerikë”, potencoi z. Lladrovci.

“Sot, jam i nderuar të jem mikpritës i juaji, Ju jeni në shtëpinë Tuaj, në Drenas dhe Drenicë, zemrën e kombit shqiptar, të cilën, e nderuat me ardhjen tuaj në vijat e para të frontit, për çlirimin e Kosovës, edhe sot me vizitën Tuaj në Drenas”, ka theksuar Lladrovci, duke shtuar se duhet të jenë krenar, me angazhimin e tyre, jetën dhe synimet e tyre, sepse ceku ai, ne ju duam dhe respektojmë, për gjithçka që bëni për atdheun Tuaj, për familjet Tuaja, pavarësisht distancës dhe të një oqeani ndërmjet nesh.

“Respekt dhe nderim për familjet Tuaja që ju edukuan dhe ushqyen me zjarrin e patriotizmit më të sinqertë për të qenë në shërbim të kombit shqiptar, ku është liria, është Amerika!”, theksoi Lladrovci.

Po ashtu, pas takimit, së bashku kanë bërë homazhe dhe vendosën kurora me lule para shtatoreve të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, ku Kryetari Lladrovci i njohu për projektin e Sheshit, ku do të vendosen shtatoret e heronjve, si dhe sheshin e ri, ku do të quhet Miqtë e kombit shqiptar, ku parashihen shtatoret e ish Presidentit Klinton, Bush, Kryeministrit Bler dhe Kancelares Merkel, në shenjë nderimi dhe respekti për përkrahjen për çështjen e Kosovës, gjatë luftës së çlirimit të vendit dhe shtetformimit.

Pas kësaj vizite në Drenas, Z. Lladrovci me pjesëtarët e Batalionit “Atlantiku”, kanë shkuar për vizitë në Prekaz, te Memoriali i Jasharajve.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë