Lladrovci pret Galambos, Ujëmbledhësi i Vërbocit po finalizohet, po ashtu diskutojnë edhe për Stadiumin Nacional dhe Tramvajin

Në diskutim, kryetari Lladrovci dhe Attila Galambos, diskutuan hapat e përbashkët që duhet ndërmarrë për finalizimin e Ujëmbledhësit të Vërbocit, vlerësuan ndërtimin e Stadiumit Nacional si dhe tramvajit që po ashtu pritet të fitoj financimin nga Hungaria.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të martën ka pritur në takim Presidentin e Komitetit të Ballkanit Perëndimor nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Hungarisë, Attila Galambos, të shoqëruar nga deputeti i Parlamentit të Kosovës, Elmi Reçica.

Pas aprovimit të Këshillit Kombëtar për Investime nga Qeveria e Republikës së Kosovës, të datës 13.7.2018 për financimin e projektit “Ndërtimi i Pendës Ujëmbledhës për ujë të pijes në fshatin Vërboc” i cili do të financohet nga autoritetet hungareze, ky ka qenë takimi i parë zyrtar mes Komunës së Drenasit dhe autoriteteve hungareze, ku është diskutuar për hapat e mëtejmë në mënyrë që sa më parë të filloj implementimi i projektit të Pendës ujëmbledhëse që do të shërbejë për furnizimin e 40 mijë banorëve me ujë të pijes.

Galambos ka njoftuar kryetarin Lladrovci për veprimet të cilat duhet të ndërmerren bashkërisht në mënyrë që ky projekt të filloj sa më parë.

Kurse kryetari Lladrovci është zotuar se të gjitha çështjet teknike dhe administrative do të kryhen me prioritet të lartë nga ana e Komunës së Drenasit për realizimin e këtij projekti i cili është shumë i rëndësishëm për banorët e Drenasit.

Lladrovci dhe Galambos kanë diskutuar po ashtu edhe për Stadiumin Nacional, i cili do të ndërtohet në territorin e Komunës së Drenasit me mundësi financimi me kredi të butë nga shteti hungarez. Të njëjtit gjithashtu kanë pasur një diskutim të frytshëm edhe për ndërtimin e tramvajit, zotim i mëhershëm nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe i Kryetarit Lladrovci.

Galambos së bashku me kryetarin Lladrovci dhe deputetin Reçica kanë vënë kurora me lule pranë shtatoreve të Heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci në sheshin e qytetit.​

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë