Afrim Tovërlani ka një premtim për adhuruesit e Ferronikelit…

Kampioni i Kosovës, Ferronikeli,  tash e katër ditë, stacion të ri të përgatitjeve për stinorin pranveror ka zgjedhur Antalinë e Turqisë. Bora dhe acari dimëror i Kosovës, është zëvendësuar me ditët plot dielll e kushe të jashtëzakonisht të mirë për punë. 33 pikët e vjeshtës, e kanë gjetur skuadrën e trajnerit Afrim Tovërlani në vendin e katërt, ndërkohë që kryeson Trepça ‘89 me 39, e ndjekur nga Llapi me 36 dhe Prishtina me 35 pikë.

Mirëpo, timonieri i kampionit të tashëm mendon se gjithçka do të vendoset në pranverë, kështu që lufta për titull do të jetë tejet e barasepeshuar dhe jashtëzakonisht e ashpër.

Tribuna Channel e ka kontaktuar kryetrajnerin Afrim Tovërlani, i cili së bashku me ekspeditën e Ferroniekit ndodhet në Antlali, e ku pritet të qëndrojnë deri më 9 shkur. Gjatë qëndrimit në këtë qendër të nohur sportive,  kanë në program edhe disa ndeshje miqësore me skuadrat e njohura evropiane.

Trajneri Tovërlani është shumë i kënaqur me punën e deriatshme, ndërsa në pyetjen tonë se si po ecin përgatitjet në Antali, u shpreh:

“Mirë shumë. Por ende ekipi është i lodhur nga stërvitjet intensive, të cilat po i vazhdojmë tash e një muaj. Edhe sot u vërejt lodhja në ndeshjen me Montanën e Bullgarisë, por jam i kënaqur sepse është vetëm ndeshja e parë pas më shumë se tre muaj”.

-Përfundimi i afatit të kalimit për skuadrën tuaj u mbyll edhe me një përforcim nga jashë Kosovës. Për çfarë lojtari bëhet fjalë?

“Bëhet fjalë për një futbollist të mirë, Abu Kamara, përfaqësues i U-21 të Liberisë dhe i cili është i ri, vetëm 20 vjeç.Një shënues tipik”.

-Rivalët tuaj për titull poashtu kanë blerë shumë lojtarë. Si i vlerësoni këto prurje?

“Mendoj se të gjithë kemi transferuar lojtarë të cilët do të duhej të bëjnë ndryshimin në vazhdim të kampionatit. Se cilët do dalin më të qëlluar duhet të presim dhe t’ia lëmë kohës”.

-Në skuadrën tuaj tash është konkurrencë shumë e madhe për çdo vend. Keni vështirësi në përcaktimet tuaja për përbërjen bazë?

“Jo, nuk kam, sepse do të startojnë më të përgatiturit dhe ata që kapin formën më shpejt. Kampionati do jetë i gjatë dhe mund të ketë lëndime, kartonë. Për ne parësore do jenë rezultatet e Niklit dhe jo emrat, pa marrë parasysh për kë bëhet fjalë”.

-Në Antali sigurisht keni një program të ngjeshur pune: stërvitje – ndeshje. Me cilët rivalë po i sprovoni forcat?

“Sot humbëm nga Montana 2:0. Me 4 shkurt luajmë me Anzhin, më 5 shkurt me Pelisterin, më 7 kundër Luch të Rusisë dhe më 9 shkurt kundër Odesës së Ukrainës. Pra, të gjitha ndeshjet janë të forta”.

Timonieri i Ferrronikelit, Afrim Tovërlani ka një premtim të fuqishëm për adhuruesit e skuadrës kampione për stinorinn pranveror dhe thotë:

“Do të shkrihemi dhe do të japim maksimumin për më të mirën e Ferronikelit. Do të luftojmë deri në atomin e fundit për të përsëritur rezultatet e pranverës së kaluar”.

Ekspedita e Ferronikelit pritet që më 10 shkurt të kthehet në Kosovës, ndërkohë që çel pranerën me ndeshjen e Kupës së Kosovës kundër Llapit në stadiumin “Rexhep Rexhepi”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë