Kampioni i Kosovës në futboll, KF Ferronikeli, ka udhëtuar të dielën drejt Antalya të Turqisë, ku do zhvillojë fazën përgatitore.
“Kemi punuar mirë dhe jam shumë i kënaqur me përgatitjet e deritashme. Tani vazhdojmë me fazën tjetër”, ka thënë pas mbërritjes në Turqi trajneri Afrim Tovërlani për gazetametro.net.
Edhe pse futbollistëve iu është dashur të zgjohen në orët e para të së dielës për tu nisur rreth orës 5 të mëngjesit nga aeroporti ‘Adem Jashari’, Toverlani i ka nxjerrë menjëherë pasdite futbollistët në fushë për stërvitjen e parë.
Skuadra nga Drenasi është vendosur në resorin e njëjtë ku kishte zhvilluar përgatitjet edhe vitin e kaluar, me rast mikpritësit e kishin përgatitur edhe mesazhin e mirëseardhjes: “Ekipit kampion, mirëseardhje në resorin …”
Ferronikeli do të qëndrojë rreth dy javë për përgatitje në Antalya./gazetametro.net