Emërtimi i stadiumit nacional me emrin e legjendës “Fadil Vokrri”, sa vjen e merr mbështetje më të madhe edhe nga klubet e Vala e Superligës.
Pas Trepçës ’89, edhe Feronikeli përkrahë fuqishëm këtë ide, që stadiumi nacional që do të ndërtohet në Bërnicë të Poshtme të Prishtinës, të emërtohet “Fadil Vokrri”.
“Fadil Vokrri, djali nga Kosova, në vitet e arta te “FC Prishtina” përfaqësoi shqiptarët e diskriminuar në ish-Jugosllavi, duke na bërë të gjithëve krenarë për identitetin që kemi. Fadil Vokrri po ashtu është emri më i madh dhe më i respektuar shqiptar në botën e sportit. Fadil Vokrri i dha shumë futbollit kosovar, jo vetëm me talentin e një futbollisti të nivelit e klasit botëror, por edhe duke qenë në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës. Dha shumë për ndërkombëtarizimin dhe pranimin në instancat më të larta të futbollit Kosovar, në UEFA dhe FIFA. Emërtimi i stadiumit kombëtar “Fadil Vokrri” nuk do t’i bënte nder vetëm një individi, qyteti apo institucioni, por nder do t’i bënte, mbi të gjitha, shtetit të Kosovës para botës së futbollit”, thuhet në vazhdim të njoftimit të kampionit në fuqi.
Emërtimi i stadiumit me emrin e Vokrrit është përkrahur edhe nga tifozët e Kosovës, Dardanët, trajnerët, gjyqtarët etj.