Feronikeli aranzhon miqësore me skuadra të mëdha

Kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli do ta ketë fatin që përgatitjet t’i zhvillojë në Antalya të Turqisë.

Ekspedita nga Drenasi do të udhëtojë drejt Turqisë më 29 janar, derisa do të qëndrojë atje 12 ditë.

Ndërkohë, skuadra tashmë ka aranzhuar edhe disa miqësore luksi me skuadra të njohura. Kështu ka njoftuar trajneri, Afrim Tovërlani.

“Deri më tash janë aranzhuar tri miqësore për të cilat i kemi edhe kontratat. Do të luajmë me FC Chornomorets Odesa nga Ukraina, Montana nga Bullgaria dhe Pelisteri nga Maqedonia. Do të aranzhohen edhe dy miqësore tjera, por jemi duke i analizuar kundërshtarët”, deklaroi Tovërlani për Gazetasheshi.com.

Të tri këto skuadra janë pjesë e ligave elitare të vendeve të tyre, derisa më e njohura natyrisht është Odesa ukrainase.

Ndryshe, Feronikeli ka bërë transferimet më të kushtueshme këtë mini-afat kalimtar, ndonëse ‘kuleta’ e kampionëve ende nuk është mbyllur.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë