Hektor Beqiri: 2191 ditë padrejtësi, por bindja jonë për drejtësi mbetet e palëkundur
Sot shënohen gjashtë vjet nga paraburgosja në Hagë e katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjashtë vite më vonë, kur e shohim këtë proces nga perspektiva e kohës, bëhet edhe më e qartë se sa i rëndë dhe i padrejtë është rrugëtimi nëpër të cilin po kalojnë çlirimtarët tanë.
Edhe më 4 dhe 5 nëntor 2020 isha aty, në momentet kur po ndodhte një padrejtësi që e kundërshtova publikisht dhe me zë të lartë. Fola atëherë, nuk heshta asnjëherë dhe nuk do të hesht as sot.
Sot, pas gjashtë vitesh, shqetësimet dhe qëndrimet që i shprehëm që në ditët e para mbeten po aq të forta. Ajo që ne e konsideronim një proces të padrejtë dhe të ngarkuar politikisht, vazhdon të jetë një plagë e hapur për ndërgjegjen tonë kolektive.
Kanë kaluar 2191 ditë që kur çlirimtarët tanë po përballen me këtë proces, ndërsa ne vazhdojmë të kërkojmë drejtësi, të mbrojmë të vërtetën dhe të kundërshtojmë çdo përpjekje për të njollosur luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.
Por, këto 2191 ditë nuk e kanë zbehur bindjen tonë. Përkundrazi, e kanë forcuar edhe më shumë vendosmërinë tonë për të vazhduar angazhimin deri në vendosjen e drejtësisë.
Liria nuk mund të burgoset.
E drejta nuk mund të mposhtet nga asnjë proces.
Historia nuk mund të rishkruhet.
Sakrifica e një populli nuk mund të njolloset.
Ne besojmë se e vërteta është një dhe e vetme. Ajo mund të vonohet, mund të sfidohet dhe mund të përballet me pengesa, por nuk mund të zhduket.
Prandaj, edhe sot, gjashtë vjet pas atyre ditëve të nëntorit 2020, mbetemi të palëkundur në bindjen se drejtësia duhet të triumfojë. Besojmë se procesi i Apelit do të sjellë një vlerësim të drejtë dhe do të dëshmojë se e vërteta dhe drejtësia nuk mund të zëvendësohen nga paragjykimet dhe akuzat.
Angazhimi ynë nuk ndalet. Zëri ynë nuk shuhet. Solidariteti ynë me çlirimtarët mbetet i palëkundur.
LIRI DHE DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT!
Hektor Beqiri, Veprimtari e përfaqësuesi i organizatës “Liria ka Emër“ për Diasporën.


