Drenicasi Leutrim Nika diplomon në Akademinë Ushtarake në Gjermani, pas tri vitesh studime

Drenicasi Leutrim Nika ka përfunduar me sukses studimet trevjeçare në Akademinë Ushtarake në Gjermani, duke shënuar një arritje të rëndësishme në rrugëtimin e tij profesional dhe ushtarak, transmeton DrenicaOnline.

Nika është diplomuar në fushën e logjistikës ushtarake dhe tashmë pritet t’i bashkohet trupës së oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ku do t’i shërbejë vendit me njohuritë dhe përgatitjen e fituar në Gjermani.

Përmes një postimi, ai ka ndarë emocionet dhe përvojën e tij pas përfundimit të studimeve.

“Pas tri vitesh në Akademinë Ushtarake në Gjermani, po e përmbyll me sukses një rrugëtim të rëndësishëm në jetën time. Tri vite me sfida, sakrifica, përvoja të shumta dhe mbi të gjitha, njohuri të reja”, ka shkruar Nika.

Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se nga Gjermania po kthehet edhe me miqësi të veçanta dhe kujtime të paharrueshme.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve kosovarë, të organizuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin.

Krahas Leutrim Nikës, studimet i kanë përfunduar edhe Xheto Kelmendi në këmbësori, Gentri Azemi në IT ushtarake, si dhe Lavdim Sylejmani dhe Betim Elshani në polici ushtarake.

Sipas ministrit Maqedonci, deri më tani 18 kadetë kosovarë kanë diplomuar në akademitë ushtarake gjermane, ndërsa 16 të tjerë vazhdojnë studimet.

Diplomimi i Leutrim Nikës përbën një tjetër arritje të të rinjve nga Drenica, të cilët po përgatiten në akademi prestigjioze ndërkombëtare për t’i shërbyer Republikës së Kosovës./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕